Haradinaj: Mungesa e opozitës në Kuvend, nuk e ndihmon Kosovën

PRISHTINË, 4 Shtator/ATSH/- Kryeministri Ramush Haradinaj deklaroi sot nga mjediset e Kuvendit, ku pritet të nisë seanca plenare për shqyrtimin e propozim-vendimit të qeverisë për emërimin e Ekipit Negociator për dialogun me Serbinë, se “nëse opozita nuk merr pjesë në seancë, nuk është ndihmë për Kosovën”.

“Seanca është thirrur me qëllim të kërkimit të besimit për ekipin negociator, por gjithashtu për t’i dhënë mundësi Kuvendit të Kosovës të japë mendimin e tij për ekipin”, tha Haradinaj.

Sipas tij, do të ishte mirë që opozita të ishte e pranishme në seancë, për të dhënë qëndrimet e saj.

Kreu i qeverisë theksoi gjithashtu se “as nuk do këtë ndarje, as lëvizje të kufijve. Po i japim mundësi opozitës të marrë pjesën e saj dhe ky është një shans që Kosova mos të thotë jo”.

I pyetur nëse i kanë votat për ekipin negociator, Haradinaj tha se “këtë e dinë vetëm deputetët”./KosovaPress/k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.