Fier, nis puna për pastrimin e lumit Gjanicë

TIRANË, 4 shtator /ATSH – I. Vata/ – Bashkia e Fierit ka nisur punën për pastrimin e lumit Gjanicë në gjithë gjatësinë e tij, për parandalimin e përmbytjeve.

Në ditët e para të vjeshtës, bashkia Fier ka nisur nga puna për pastrimin e Gjanicës që të mos rikthehen më përmbytjet masive si para 2015.

“Vëmendja ndaj lumit Gjanica dhe pastrimit të tij në zonat me problematike është e nevojshme dhe nuk do te ndalet asnjëherë”, shprehet kryebashkiaku i Fierit, Armando Subashi.

Bashkia shpjegon se në Fier nisi pastrimi i lumit Gjanica nga grykëderdhja në të gjithë gjatësinë e tij. Ndërhyrja e Bashkisë synon të shmangë rrezikun e përmbytjeve në Fier, fenomen problematik ndër vite. Është një sasi e konsiderueshme mbetjesh dhe mbeturinash që hiqet për vit për të siguruar qytetin nga përmbytja.

Lumi për herë të parë u pastrua me themel në vitin 2015, por vit pas viti mbetjet që hiqen prej shtratit të tij janë të mëdha.

“Vëmendje e veçantë i kushtohet pastrimit poshtë urave ku grumbullohen mbetjet por edhe pikave ku lumi ka tendencë të ngushtojë shtratin e tij”,  thekson bashkia. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.