Librat falas, Rama: Shqipëria ndër të vetmet vende në rajon që po ndërmerr këtë reformë

PERGJIGJA IME

PERGJIGJA IME

Posted by Edi Rama on E hënë, 3 Shtator 2018

TIRANË, 3 shtator/ATSH/ – Nxënësit nga klasa e parë në të katërt duke filluar nga ky vit shkollor do të përfitojnë libra falas, të cilat do të jenë të cilësisë më të mirë për nga përmbajtja. Kryeministri Edi Rama duke i kthyer përgjigje komentuesit në rrjetin social “Facebook”, theksoi se synimi i qeverisë është që librat të kthehen falas nga klasa e parë deri në atë të 9-të. Duke u ndalur te librat e rinj, të cilat do të jenë të një cilësie shumë të mirë, Kryeministri theksoi se librat e mëparshëm kishin mjaft probleme dhe janë refuzuar edhe nga ana e mësuesve.

“Deri sot librat e shkollës ishin të gjithë me pagesë, madje për vite dhe vite të tëra para se të nisnim zbatimin e reformës rrënjësore të teksteve, prindërit jo vetëm paguanin, por blinin mall totalisht skarco. Tekste me deformime me gabime të pafundme mes 1300 librash ku gjysma e të cilave u refuzuan nga mësuesit. Ndërsa tani, që librat me cilësi të jashtëzakonshme të Kembrixhit, Oksfordit, Pirsonit, pasi ka zëvendësuar librat e gabit, injorancës dhe korrupsionit, bëhen dhe falas për 190 mijë fëmijë”, theksoi Kryeministri Rama.

Duke u ndalur te reforma e librit, Kryeministri Rama solli si shembuj disa nga vendet e rajonit dhe BE-së të cilat nuk ofronin libra falas për nxënësit e fillores, duke theksuar se një vend i zhvilluar, siç është Italia, ofron libra falas vetëm për nxënësit nga klasa e parë deri në atë të 5-të.

“Jo vetëm që nuk e ka gjithë bota, po ju sjell shembullin e Serbisë, Malit të Zi apo dhe Kroacisë, vend i BE, nuk japin libra falas për asnjë klasë. Apo shembulli i Italisë, ku librat falas jepen vetëm nga klasa e parë deri në klasën e pestë fillore. Ambicia ime është që deri në fund të këtij mandati librat të bëhen falas për të gjitha vitet e arsimit të detyruar, deri në klasën e 9-të”.

Kryeministri gjatë përgjigjes së tij theksoi se gjatë këtij mandati do të vijojë me reforma, të cilat nuk janë bërë në 25 vite qeverisje.

“I kemi hyrë detit me këmbë, për reforma që nuk u bënë, për rregulla që nuk i bënë për çerekshekulli. Frytet e kësaj periudhe reformash, sakrificash dhe vështirësish nuk mund t’i marrim të gjitha përnjëherë, por hap pas hapi dhe me durim. Sot të kemi mundësinë që të japim libra falas për 190 mijë fëmijëve dhe të kursejmë miliona euro prindërve të tyre”, përfundoi Kryeministri. /e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.