Librat falas, 6 milionë dollarë të buxhetit u kthehen qytetarëve

TIRANË, 3 shtator/ATSH-Maela Marini/ 6 milionë dollarë janë programuar këtë vit për libra falas për 190 fëmijë nga klasa e parë në të katërtën në Republikën e Shqipërisë.

Kështu informoi sot Kryeministri Edi Rama, në një takim me mësuesit, para fillimit të vitit të ri shkollor.

Kryeministri theksoi se “deri më sot kemi zgjeruar numrin e fëmijëve që kanë përfituar tekstet falas dhe askush nuk duhet të harrojë se në vitin shkollor 2017-2018 ishin 108 fëmijë që u kompletuan me libra shkollor falas”.

“Janë një numër kategorish që ne i kemi përfshirë në këtë program, që nga fëmija i tretë në çdo familje, tek fëmijët e kryefamiljarëve invalidë, policëve të vrarë dhe me radhë disa kategori të tjera”, tha Rama.

Ndërkohë, Kryeministri solli shembullin që aplikojnë vendet e rajonit, ku të paktën 3 vende, Serbia, Mali i Zi dhe Kroacia (vend anëtar i BE-së) nuk japin libra falas.

“Sistemet janë të ndryshme. Italia që është vend në kategorinë e parë të vendeve të zhvilluara jep librat falas nga klasa e parë në të pestën. Zvicra e Finlanda, apo vende me të ardhura marramendëse i japin librat falas deri në klasën e 9-të”, tha Rama. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.