Tekstet falas, 600 mln lekë u kthehen buxheteve familjare

TIRANË, 2 shtator /ATSH/  Kryeministri Edi Rama e vuri theksin tek reformat ndërsa ndau paketat me libra falas në Vlorë. “Na vjen mirë që hap pas hapi, të gjitha ato përpjekeje, sakrifica, dhimbje që shoqërojnë reformat dhe masat e vështira, po sjellin ama një forcim të shtetit që ka mundësinë t’i kthejë në investim për fëmijët dhe familjen”, tha kryeministri Rama.

Kryeministri vuri në dukje faktin se tekstet falas janë një ndihmesë për buxhetin e familjes

“ Prindërit e fëmijëve të klasës së pare, të dytë, të tretë, të katërt dhe vitin e ardhshëm dhe të pestë nuk do të shpenzojnë më për të blerë tekstet, por ato para do t’i kenë në arkën e buxhetit të familjes për shpenzime të tjera. Nga ana tjetër, është po ashtu shumë e rëndësishme të nënvizohet sot dhe për fëmijtë që janë të pranishëm se librat do të merren falas dhe duhet të kthehen përsëri në fund të vitit. Të mbahen me kujdes me dashuri dhe të kthehen. Nuk është shpikje e jona, pasi kemi marrë kritika për këtë. Nuk është vetëm një çështje material, por është dhe një mënyrë për të krijuar një raport të posaçëm me librin. Franca nuk është një vend i varfër. Franca e bën këtë”, tha Rama, duke iu uruar prindërve të marrin gjithë kënaqësinë e mundshme nga fëmijët e tyre në këtë vit të ri shkollor.

Librat e rinj nuk janë vetëm falas për 190 mijë fëmijë, por edhe ndihmë për buxhetet familjare. 610 milionë lekë u kthehen pas qytetarëve.  /j.p/

 

 

 

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.