Siguria ushqimore, AKU bllokon 33 tonë produkte të skaduara

TIRANË, 2 shtator /ATSH/ Në kuadër të kontrolleve për produkte të skaduara, AKU ka evidentuar një subjekt i cili do të shpërndante në treg 33 tonë produkte me afat të kaluar.

Gjatë kontrollit të ushtruar nga trupa inspektuese e AKU-së, rezultoi se subjekti “IN FOOD” shpk kishte 2 magazina në Shkozë dhe Rinas ku ruante produktet me qëllim shpërndarjen në treg.

Konkretisht, në magazinën e parë me adresë në Shkozë u konstatuan kushte higjieno-sanitare të papërshtatshëm si dhe 24 tonë produkte me afat përdorimi të kaluar të cilat ruheshin në të njëjtin ambient me produktet e rregullta.

Për më tepër në produktet (makarona) të cilat ishin brenda afatit të përdorimit u gjendën prani të insekteve gjë që sjell rrezikshmëri të sigurisë ushqimore

Ndërsa në magazinën që posedonin në Rinas, u konstatuan 8.8 tonë produkte të skaduara.

Veç të tjerash subjekti “IN FOOD” shpk nuk ka përmbushur detyrimin ligjor ku duhej të njoftonte menjëherë AKU-në që këto produkte kishin kaluar afatin e përdorimit.

Për sa më sipër ndaj subjektit është marrë masë administrative gjobë 1.000.000 lekë, bllokim të produkteve me destinacion asgjësim si dhe mbyllje të menjëhershme të aktivitetit.

Ndërkohë AKU do të vijojë verifikimet e mëtejshme duke kërkuar bashkëpunim edhe me instancat e drejtësisë për një kontroll më të detajuar ndaj këtij rasti.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit me qëllim garantimin e sigurisë ushqimore, i bën sërish thirrje edhe operatorëve të biznesit ushqimor që të jenë të kujdesshëm në blerjen e lëndëve të para – produkte shtazore dhe jo shtazore duke kërkuar e marrë nga furnitorët vetëm produkte me etiketë dhe të shoqëruara dokumentacion të plotë veterinar e fiskal – pasi është një detyrim ligjor i tyre përveçse përbën një masë tepër të rëndësishme për sigurinë ushqimore të klientëve të tyre. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.