SHBA – Trump paralajmëron se mund të ndërpresë tregtinë e lirë amerikanoveriore

UASHINGTON, 2 shtator /ATSH-DPA/ – Presidenti amerikan, Donald Trump kërcënoi me një mesazh në “Twitter” se mund ta mbyllë marrëveshjen e tregtisë së lirë (NAFTA) me Meksikën dhe Kanadanë.

Ai e publikoi këtë mesazh pasi bisedimet mes Kanadasë dhe SHBA-së përfunduan pa asnjë rezultat.

SHBA-ja dhe Meksika arritën një marrëveshje në fillim të javës, duke rritur presionin mbi Otavën për të mbajtur funksionale tregtinë trepalëshe.

“Nuk ka ndonjë nevojë politike për të mbajtur Kanadanë në marrëveshjen e re NAFTA. Nëse nuk arrijmë një marrëveshje të drejtë për SHBA-në pas dekadash abuzime, Kanadaja do të mbetet jashtë. Kongresi nuk duhet të ndërhyjë në këto negociata ose unë thjesht do t’i jap krejtësisht fund NAFTA-s dhe do të jemi shumë më mirë”, shkruan Trump në “Twitter”.

“Mbani mend, NAFTA ka qenë një nga marrëveshjet tregtare më të këqija të bëra ndonjëherë. SHBA-ja ka humbur qindra sipërmarrje dhe miliona vende pune. Ne ishim shumë më mirë para NAFTA-s. Ajo nuk duhej të ishte firmosur asnjëherë”, shtoi ai.

Kjo marrëveshje tregtare është gati 25 vite e vjetër dhe ka sjellë një integrim të thellë të tregtisë në Amerikën e Veriut. /G.S/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.