Turistët ”pushtojnë” parkun arkeologjik të Orikut

Përshtypje vizitorësh në Parkun Arkeologjik të Orikut.

Vazhdon të rritet numri i vizitorëve në parqet arkeologjikë.Po ju prezantojmë një video të shkurtër me disa përshtypje të vizitorëve vendas dhe të huaj në Parkun Arkeologjik të Orikut.#VizitoniParqetArkeologjike#ParkuArkeologjikOrik#DRTKVlore

Posted by DRKK Vlorë on E premte, 31 Gusht 2018

TIRANË, 1 shtator/ATSH/ – Qyteti antik i Orikut, i ndodhur pranë qytetit të sotëm të Orikumit, në Vlorë, i themeluar nga Eubeati në shekullin Vl p.e.r. vijon të tërheqë një numër të lartë turistësh vendas e të huaj.

Ky park u ofron turistëve jo vetëm vlerat historike dhe arkeologjike, por edhe peizazhin e mrekullueshëm dhe plot kontraste mes lagunës, detit dhe gadishullit të Karaburunit.

Një turist italian ka dhënë përshtypjen e tij për këtë vizitë të mrekullueshme, në sitin e Orikut.

“Sitin e Orikut e gjej si një sit shumë të mirë nga pikëpamja shkencore, të mirëilustruar me tabela dhe pjesën informuese shumë të qartë. Është i mrekullueshëm nga pikëpamja natyrore, pasi është shumë afër detit dhe është një kartëvizitë e shkëlqyer për arkeologjinë shqiptare, i cili ka lidhje dhe me site të tjerë shumë të bukur që kam vizituar këto ditë si ai i Bylisit dhe Amantias”, theksoi turisti italian.

Ndërsa një turist gjerman shprehet se ky është një park tejet i bukur, historikisht shumë interesant, i cili në mënyrë shumë impresionuese na shfaq fazat e ndryshme të historisë.
Sipas tij, edhe njohja e banesave të hapura në shkëmb, edhe tempulli janë shumë interesante për ne.

“Ky është një vend shumë i bukur për nga peizazhi. Këtu bashkohen peizazhi dhe historia në mënyrën më të mirë. Pa dyshim ju rekomandoj një vizitë këtu në Orik”, thekson ai.

Një turist francez shprehet se “ne jemi të gjithë të kënaqur që ndodhemi këtu në një sit që është njëkohësisht një bazë ushtarake dhe që nuk është i hapur në mënyrë të përhershme për publikun. Falë guidës arritëm të bëjmë këtë zbulim të botës antike dhe porti të mundshëm të qytetit që ndodhet përballë”.

“Gjithashtu edhe njohja e banesave të hapura në shkëmb si edhe tempulli. Të gjitha këto ishin shumë interesante për ne”, thotë ai.

Ndërsa një turist shqiptar thekson se “për fat të mirë sa herë kemi ardhur kemi gjetur një gatishmëri të jashtëzakonshme të punonjësve të parkut. Shpjegimet e tyre për studentët kanë qenë të jashtëzakonshme, sepse e vizitojnë dhe mësojnë për herë të parë për Orikun”.

Na vjen mirë, shton ai, që pas disa vitesh kanë nisur gërmimet arkeologjike dhe shpresojmë në zbulime të reja.

Qyteti antik i Orikut shtrihet pranë qytetit të sotëm të Orikumit, themeluar nga Eubeati në shekullin Vl p.e.r., në trojet e fisit ilir të amantëve, mbi kodrën e njohur me emrin Paleokastër. Përmendet nga autorët antikë të shekullit të V p.e.r., si port i rëndësishëm i Adriatikut. U shfrytëzua nga romakët në luftërat kundër ilirëve dhe maqedonëve, luajti një rol të rëndësishëm në luftën civile midis Cezarit dhe Pompeut.

Në shekullin Vll, pranë tij u ndërtua kisha e Marmiroit dhe disa kisha të tjera që në themel të emrit të tyre kanë emrin Maria. Këtë gjë e shohim tek manastiret e Ardenicës (Lushnje), Apolonisë (Fier), Manastirin rrënojë të Ballshit, Manastirin e Zvërnecit, Manastirin e Dhërmiut, etj.

Sot, qyteti i Orikumit mbetet një destinacion turistik tepër i preferuar, për natyrën detare dhe malore, për historinë dhe kulturën, për detin dhe plazhet ranore. /k.s//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.