Studimi i BSH-së: Kreditimi drejt sektorëve potencialë të ekonomisë

TIRANË, 1 shtator /ATSH/ – Banka e Shqipërisë (BSH) ka publikuar një studim specifik mbi ecurinë e kreditimit duke nënvizuar faktin se, kreditimi eficient duhet të jetë drejt sektorëve potencialë të ekonomisë.
Sipas BSH-së, aktiviteti kreditues i sistemit bankar ka shfaqur ndryshime të rëndësishme në 10 vitet e fundit. Ai ishte një nga faktorët kryesorë në përshpejtimin e rritjes ekonomike në vitet 2000, por që aktualisht vlerësohet të jetë nën potencial. Edhe vlerësimet empirike tregojnë se kanali i kredisë nuk është plotësisht eficient. Kjo është veçanërisht e dukshme nëse i referohemi treguesve të ekonomisë (sidomos atyre makroekonomikë) dhe veçanërisht duke pasur parasysh natyrën ekspansioniste të politikës monetare.
Prandaj, studimet në këtë fushë ndihmojnë në identifikimin dhe studimin e problemeve që pengojnë mirëfunksionimin e tij. Në këtë aspekt, faktorët pas funksionimit (ose më mirë mosfunksionimit) të këtij kanali lidhen kryesisht me situatën e likuiditetit të bankave. Madhësia e bankave në vetvete nuk duket se ushtron ndikim mbi gjendjen e likuiditetit. Likuiditeti i lartë shërben si një siguresë dhe e zbeh eficiencën e kanalit të kredisë
bankare në rastin e Shqipërisë.
Analiza e të dhënave empirike vërteton hipotezën se sjellja e bankave në lidhje me aktivitetin kreditues nuk ka qenë gjithmonë eficient.
Evidencat empirike tregojnë se pas vitit 2008, kredia bankare nuk është orientuar nga përfitueshmëria dhe rreziku i kredisë. Përkundrazi, kredidhënia është motivuar kryesisht nga zgjedhja e bankave për të mbështetur të njëjtët sektorë sikurse edhe para krizës, pavarësisht se këta sektorë kanë përjetuar një rënie të përfitueshmërisë dhe rritje
të rrezikut të kredisë. Kjo sjellje u ka ardhur në ndihmë sektorëve në vështirësi, duke i mbrojtur nga forcat e tregut, që do të çonin në riorganizimin e sektorëve përmes proceseve të falimentimit, likuidimit dhe konsolidimit.
Ndaj studimi nënvizon rëndësinë e shpërndarjes më të mirë të kredisë tek sektorët potencialë të ekonomisë dhe te treguesit e stabilitetit financiar në periudhën afatgjatë. /e.xh/r.e/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.