Sporti i shahut në shkollat komunitare, Veliaj: Mundësi fantastike për të rinjtë

https://www.facebook.com/ErionVeliaj/videos/289253301877522/

TIRANË, 1 shtator/ATSH/ – Nxënësit e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme do të kenë mundësi të mësojnë dhe të perfeksionojnë lojën e shahut.

Ky është projekti më i ri i bashkisë së Tiranës në bashkëpunim me Federatën kombëtare të Shahut, që synon masivizimin e sportit për të rinjtë.

I pranishëm në edicionin e 6-të Ndërkombëtar të Shahistëve Frankofonë, turneu i parë ndërkombëtar i shahut në Tiranë, Veliaj theksoi se “bashkia synon që shkollat komunitare të fusin edhe lojën e shahut në aktivitetet e tyre. Gjithashtu synojmë ta kthejmë këtë kampionat në një stacion të përvitshëm”.

“Mezi pres që ta kthejmë Tiranën në një stacion të përvitshëm të kampionateve, të cilat jo vetëm inkurajojnë sportin e shahut, por mbi të gjitha sjellin një lloj tjetër turizmi, një tjetër veprimtari ekonomike dhe vizitori në qytetin e Tiranës”, – tha Veliaj.

Veliaj u shpreh se “është shumë mirë që të rinjtë po merren me sporte fizike, me basketboll, futboll, volejboll, por edhe sporti i mendjes është po aq i rëndësishëm. Ndaj, mezi pres që, bashkë me presidentin Shalsi, të hartojmë një program për të gjitha shkollat tona, si një mundësi fantastike për të rinjtë, të ndjekin kurse shahu në shkollat komunitare”, – nënvizoi Veliaj.

Patrick Van Hoolandt, Presidenti i Shoqatës Ndërkombëtare Frankofone të Shahut, vlerësoi mikpritjen dhe organizimin e këtij aktiviteti në Tiranë.

Ai theksoi se të gjithë shahistët janë të kënaqur për faktin se kanë zbuluar një vend të mrekullueshëm.

“Falenderoj qytetin e Tiranës për mikpritjen e rezervuar në Edicionin e 6-të Ndërkombëtar të Shahistëve Frankofonë. Organizimi është i përkryer. Federata Shqiptare e Shahut paraqiti një ekip të fortë. Po ashtu, gjatë kësaj kohe, organizuam edhe ekskursione të ndryshme për të vizituar e njohur vendin. Të gjithë shahistët u shprehën vërtet të kënaqur për faktin se kanë zbuluar një vend të mrekullueshëm”, – tha Presidenti i Shoqatës Ndërkombëtare Frankofone të Shahut.

Në tre vitet e fundit Tirana është kthyer në një qendër të rëndësishme për organizimin e aktiviteteve të ndryshme sportive, jo vetëm kombëtare, por edhe atyre ndërkombëtare.

Në Edicionin e 6-të Ndërkombëtar të Shahistëve Frankofonë marrin pjesë 132 shahistë nga 22 vende të ndryshme të botës. /k.s//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.