Shqipëria turistike në fokus të mediave më prestigjioze ndërkombëtare

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/474055323072586/

TIRANË, 1 shtator/ATSH/ – Shqipëria turistike është në fokus të mediave më prestigjioze ndërkombëtare.

Duke paraqitur një kolazh të artikujve të shumtë të publikuara në këto media, Kryeministri Edi Rama veçon ftesën që ato bëjnë duke renditur arsyet e shumta se përse duhet vizituar vendin ynë.

“Mirëmëngjes dhe me këtë kolazh të artikujve të shumtë në mediat më prestigjioze ndërkombëtare për Shqipërinë turistike dhe arsyet e panumërta pse duhet vizituar, ju uroj një fundjavë të bukur”, shkruan Rama.

Shqipëria turistike ka gjetur një hapësirë të posaçme në median neozelandeze. “Stuff – New Zeland” shkruan: “Shqipëria e gatshme për një kapitull të ri”.

Po ashtu gjiganti mediatik “BBC”, shkruan për Bunk’ART, duke e konsideruar “vendi më i fshehtë në Europë. Bunk’Art, shkruan “BBC”, po bëhet një arsye për të vizituar Tiranën.

Portali italian “Zingarate” e cilëson bregdetin shqiptar, destinacionin më të rëndësishëm për verën. “Ekzistojnë shumë pak vende që janë ende të fshehta në Europë. A jeni në kërkim të një destinacioni për pushime? Ne kemi një sugjerim për ju, Shqipëria”, shkruan portali italian.

“The Sun” po ashtu vjen me një promovim shumë të fuqishëm të turizmit në Shqipëri. “Lini Greqinë për Shqipërinë, është më lirë dhe njësoj e mrekullueshme! Mund të kurseni para duke këmbyer pushimet në buzë të detit në Greqi me bregdetin shqiptar”, shkruan The Sun.

“Spiegel Online” shkruan: “Merrni hartën dhe udhëtoni drejt juglindjes, në Shqipëri, në Tiranë“.

“The Time” i ka kushtuar një artikull të veçantë pasurive ujore të Shqipërisë. “Të paeksploruara prej dekadash, ujërat e Shqipërisë janë të mbushura me artefakte dhe janë duke u zhvilluar përpjekje për t’i regjistruar ato para se të fillojnë grabitjet”, shkruan The Time.

“Festë në vendin që duket si parajsë”, shkruan “The Guardian”. “Një i ardhur rishtaz në vendin e festivalit, Shqipëria po tërheq turistë të moshave të reja, për të kërcyer në plazhet e saj dhe për të eksploruar përtej brigjeve të panjohura për vizitorët”, shprehet “The Guardian”.

“Travel Planet” shkruan po ashtu për Shqipërinë turistike. “Nga bregdeti i mrekullueshëm, tek trashëgimia kulturore dhe bota nënujore. “Travel Planet” promovon potencialet turistike të Shqipërisë”.

“El Observador” vjen me një ftesë për të zbuluar kanionin idilik të Shqipërisë.

“Travel News” veçon Shqipërinë mes destinacioneve të vitit 2018. Revista zvicerane “Travelnews” që i dedikohet turizmit profesional dhe gjithë të apasionuarve pas udhëtimeve, rendit Shqipërinë në kalendarin e saj të vendeve që duhen vizituar.

“Francë Info: Francë 3″ po ashtu i referohen Shqipërisë, si një destinacion i panjohur. “Shqipëria, një prej vendeve më pak të njohura në periferi të Mesdheut, hapet ndaj turizmit”, shkruan media franceze.

“The Journal.ie”, revista e njohur australiane shkruan: Shqipëria, diamanti i pazbuluar i Europës. Revista australiane që i dedikohet udhëtimeve “The Journal” i ka dedikuar një shkrim kulturës dhe natyrës së Shqipërisë./m.m//e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.