AKU bllokon 55 tonë miell gruri nga Kosova e Serbia

TIRANË, 1 shtator /ATSH/ – Në kuadër të masave të përforcuara për sigurinë e cilësinë ushqimore të produkteve që importohen, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka konstatuar dhe bllokuar një ngarkesë me 55 tonë miell gruri jashtë standardeve për konsum.

Në një njoftim për shtyp, AKU bën të ditur se, trupa inspektuese e drejtorisë së AKU-së  Kukës, gjatë kontrollit të ushtruar në Pikën Doganore Morinë evidentoi 2 subjekte të cilët do të fusnin në Republikën e Shqipërisë produktin “miell gruri” me origjinë nga Kosova dhe Serbia.

Konkretisht, për ngarkesën 30 tonë “miell gruri” nga Kosova me nr. loti 06, pas analizave të kryera nga laboratori i DRAKU, Durrës ky produkt rezultoi me nivelin e proteinës më të ulët se ai i deklaruar në dokumentacion dhe më i ulët se norma e lejuar për prodhim buke. Sipas ekzaminimeve laboratorike niveli i proteinës rezultoi të ishte 11.37%, 11.44% dhe 11.5%, ndërkohë që në fletë analizën që shoqëron produktin, niveli i proteinës është shënuar 12.08%, kurse në ambalazhin e produktit është maksimumi 13%.

Ndërsa për ngarkesën 25 tonë “miell gruri” nga Serbia, produkti nuk kishte përputhshmëri me dokumentacionin shoqërues. Pra, raport analiza nuk ka nr. loti, datë prodhimi/skadimi që ta lidhë me produktin 25 tonë miell gruri. Për më tepër niveli i proteinës së deklaruar në raport analize (12.74%) është i ndryshëm nga ai që shënohej në ambalazh (9.5%).

Menjëherë Autoriteti Kombëtar i Ushqimit bëri bllokimi e ngarkesës me sasi 55 tonë, bazuar legjislacionit në fuqi dhe do të ndjekë procedurat doganore për kthimin në origjinë. /e.xh/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.