Turizmi/ Shqipëria, destinacion i operatorëve më të mëdhenj turistikë

TIRANË, 31 gusht/ATSH/- Ministri i Turizimit dhe Mjedisit, Blendi Klosi e konsideroi shumë të suksesshëm sezonin turistik të këtij viti deri tani, ndërsa theksoi se “Shqipëria tashmë ka filluar të jetë pjesë e një destinacioni europian turistik, ku nga fillimi i janarit deri sot kanë ardhur në vendin tonë 4.5 milionë shtetas të huaj”.

Në një intervistë televizive ministri Klosi tha se “sikur të mos ketë rritje shtatori, tetori, nëntori në krahasim me vitin e kaluar, kur janë futur 1.2 milionë turistë, ne shkojmë në 5.8 milionë turistë në vitin 2018. Krahasuar me 2017 kur kanë qenë 5.1 milionë turistë të huaj në vendin tonë ne kemi rritje prej 700 mijë turistë këtë vit. Këta turistë i kanë sjellë buxhetit të shtetit në 2017 1.7 miliardë euro të ardhura, me të njëjtën logjikë të shifrave këtë vit buxhetit i shkojnë 2 miliardë euro të ardhura”.

Sipas tij, gjëja favorizuese për Shqipërinë në krahasim me Malin e Zi dhe Kroacinë, është se ne kemi sezon turistik gjatë gjithë vitit.

Ministri Klosi tha se kjo vërehet edhe tek numri i turistëve të huaj që kanë ardhur në vendin tonë gjatë gjithë vitit. Kemi rritje gjatë muajve korrik, gusht dhe shtator, por edhe gjatë muajve të tjerë kemi rritje, kjo dëshmon se kemi mundësi dhe hapësira që të kemi shtrirje dhe rritje gjatë gjithë vitit”.

“Numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në kufi në Shqipëri me pasaportë të huaj dhe që rrinë në vendin tonë më shumë se një ditë gjatë muajit gusht ka arritur në 1 milion e 430 mijë, një shifër rekord për nga rritja e çdo muaji tjetër. Duke e krahasuar me muajin gusht të 2017 kemi një rritje prej 25%”, – theksoi Klosi.

Sipas tij, kjo është një rritje e jashtëzakonshme duke e krahasuar me vendet e tjera.

Ministri Klosi tha se “kjo na bën të mendojmë që sfida jonë për 10 milionë turistë është më se reale. Ne e kemi objektiv që në 2025 të sjellim 10 milionë turistë në vend”.

“Të mos harrojmë që ne e gjetëm Shqipërinë me vetëm 3 milionë turistë të huaj, që hynë në kufi në 2013 dhe në katër vjet e çuam në 5.8 milionë. Pra e dyfishuam”, – theksoi Klosi.

Ministri Klosi bëri të ditur se “nuk mund të themi që sezoni turistik mbyllet më 31 gusht, pasi të gjitha plazhet vazhdojnë të jenë plot me turistë. Kompani të mëdha botërore të tur operatorëve më të mëdhenj në botë, si “Tui”, “Tomas Kuk”, etj., këtë vit për herë të parë kanë vendosur ta shikojnë Shqipërinë si destinacion. Kanë bërë testimet e para dhe kanë sjellë turistët e parë dhe vitin tjetër në librat e tyre Shqipëria shitet masivisht dhe këto janë kompani që trajtojnë me qindra milionë turistë”. /k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.