Shtohet numri i vizitorëve në Muzeun Historik dhe Etnografik të Krujës

https://www.facebook.com/1426548810890957/videos/721365124875425/

TIRANË, 31 gusht/ATSH/ Në Muzeun Historik dhe Etnografik të Krujës vizitorët janë në rritje. Statistikat tregojnë që numri i tyre deri sot ka arritur në 73,589 vizitorë, ndërkohë që një vit më parë, pra referuar vitit 2017, numri i tyre ka qenë 27,337 vizitorë.

Në Muzeun Historik dhe Etnografik të Krujës gjejmë gjithashtu edhe shërbim cilësor me vendosjen e biletarisë elektronike.

Sandra Siqiroska e cila ka disa vjet që punon në Shqipëri si guidë, shoqëron turistët kroatë  në vendin tonë, që nga fillimi i sezonit turistik, deri në fund. Ajo thotë se “kam disa vite që punoj këtu në Shqipëri me turistë, të cilë vijnë nga Polonia si dhe nga Kroacia, ku ata kanë përshtypje shumë të mira për Krujën”.

Ata shfaqin interes për Muzeun Etnografik dhe për Pazarin e Krujës.

Në këtë muze ata mund të shohin se si jetonin familjet patriarkale, nëpërmjet veshjeve, të cilat ndodhen në këtë muze, si dhe objekteve të tjera shtëpiake.

Muzeu Etnografik i Krujës ndodhet brenda kalasë së Krujës. Ky muzeum është ngritur në shtëpinë e familjes së Toptanëve, e cila është një ndërtesë e tipit “çardak” e vitit 1764. Banesa është monument kulture i kategorisë së I. Në mjediset e brendshme, si edhe objektet e paraqitura në mjediset e jashtme, jepet një pamje e plotë i zejeve të ushtruara në Krujë dhe në të gjithë Shqipërinë, si edhe i mënyrës së jetesës duke filluar që 300 vjet përpara. Plot 90 për qind e objekteve të këtij muzeu janë origjinale dhe 100% janë funksionale. Në të gjejmë objekte prej qeramike, druri, guri, hekuri, pambuku, mëndafshi, leshi, qendisma të ndryshme të ekspozuara me finesë. Mosha e këtyre objekteve varion nga 60-70 deri në 500-vjeçare. Muzeu Kombëtar Etnografik i Krujës u përurua më 20 nëntor 1989.

Ky shkrim është pjesërisht i vërtetë. Pronësia e parë dhe data e ndërtimit është e saktë. Shtëpia është ndërtuar nga Toptanasit që në atë kohë ishin sundimtarë të Krujës dhe është e stilit persian, pasi Kapllan Pashë Toptani, sapo ishte kthyer nga fushata e Teheranit, ku turqit dolën ngadhënjyes. Kështu pra, inxhinierët ishin persë, ndërsa ustallarët që e ndërtuan dibranë. Madje dhe piktori që e ka hijeshuar ka qenë Bajram Muça, nga Ostreni i Madh.

Më pas, nga fillimi i viteve ‘800, kur Toptanët u shpërngulën në Tiranë dhe u bënë zotër të Shqipërisë së Mesme, shtëpia kaloi në pronësi të një familjeje të dëgjuar nga Kruja me mbiemër Kalaja (Zejnel Efendi Kalaja), pronësi e cila u ruajt deri në vitet e fundit, kur shteti shqiptar bëri shpronësimin e saj.

Muzeu, i cili në origjinë ka qenë haremllëku (banesa private) e Kapllan pashës, është shpallur si i tillë për herë të parë në vitin 1959 dhe është restauruar me themel nga prof. Emin Riza. Objektet e ekspozuara aty, kanë vlerë pakrahasimisht të vogël historike dhe etnografike në krahasim me vetë Muzeun, i cili është unik në trevat Ballkanike.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.