Sezoni turistik, 4 mijë inspektime për kontrollin e shërbimit dhe çmimeve

TIRANË,31 gusht/ATSH- I. Vata/ – Ministrja e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Sonila Qato  deklaroi sot se janë kryer 4 mijë inspektime për cilësinë e shërbimit dhe kontrollin e çmimeve gjatë sezonit turistik

Ministrja e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Qato tha se plazhet kanë funksionuar shumë mirë këtë sezon turistik.

“Është rritur siguria e pushuesve në plazhe, nëpërmjet implementimit për herë të parë në bashkëpunim me sipërmarrjen të vendosjes së kullave të vrojtimit dhe vrojtuesve të plazhit të kualifikuar nga Federata Shqiptare e Vrojtuesve të Plazhit, duke shmangur edhe aksidentet fatale për jetën e pushuesve”, tha Qato.

Ndërsa me çmimet është luajtur shumë nga mënyra se si është mediatizuar kjo gjë”, tha Qato duke vijuar se “unë besoj se këto çmime vendosen nga tregu. Janë operatorët ekonomikë ato të cilët rregullojnë tregun”.

Në tej Qato shtoi se “gjatë sezonit turistik janë kryer 4 mijë inspektime në tërësi të të gjithë inspektoriateve që ushtrojnë kontrolle në territor. Të gjitha këto kanë qenë me synimin kryesor që së pari të ofrohen shërbime cilësore për publikun e së dyti të shmangen abuzimet që mund të lindin nga ana e operatorëve ekonomikë në këtë kulm të aktivitetit të tyre dhe së fundmi dhe për të kontrolluar çmimet të cilat janë të vendosura në treg”.

Në lidhje me akuzat e opozitës për plazhe të braktisura, ministrja Qato u shpreh se kjo është një antireklamë për turizmin shqiptar.

“Asnjëri nga ne nuk ka interes që të ulet numri i turistëve në vend, prandaj siç edhe e theksova çdo turist është investim për Shqipërinë. Shifrat  që do të dalin nga INSTAT do flasin kundër”, tha Qato. /j.p/

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.