OSBE trajnon Policinë e Kosovës për identifikimin e dhunës në familje

TIRANE, 31 gusht /ATSH/ -Misioni i OSBE-së në Kosovë përmbylli një kurs pesëditor të “trajnimit të trajnerëve” me temë identifikimin e dhunës në familje për njësitë e policisë në bashkësi.

Kursi kishte në fokus indikatorët e hershëm siç janë dëshmitë fizike dhe shenjat psikologjike të viktimave; reagimi i parë i policisë dhe asistenca për viktimat e dhunës në familje dhe abuzimit seksual; si dhe ofrimi i sigurisë për policët dhe viktimat e përfshira.

“Lufta kundër dhunës në familje është prioritet i Misionit”, tha Kilian Ëahl, zëvendës shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë.

“Parandalimi është vendimtar për të siguruar ulje efektive të rasteve të dhunës në familje. Ne mbështesim Policinë e Kosovës në zgjerimin e njohurive dhe shkathtësive të zyrtarëve policorë në aspektin e parandalimit. Kjo do të mundësojë identifikim të duhur të indikatorëve të hershëm të dhunës në familje dhe reagim para se të ndodhë diçka”, tha ai.

Ramadan Krasniqi, rreshter i policisë, tha se ky kurs ishte mundësi e shkëlqyer për të mësuar të rejat në trajtimin e rasteve të dhunës në familje. “Së bashku me aktivitete të tilla trajnuese në të ardhmen, duhet të përqendrohemi edhe në ndërgjegjësimin e opinionit publik mbi dhunën në familje dhe rritjen e bashkëpunimit tonë me ta për të minimizuar këtë fenomen negativ”.

Pas këtij kursi, pjesëmarrësit do të bëhen trajnerë të certifikuar dhe do të zhvillojnë kurse të ngjashme trajnimi për policët e tjerë të patrullimit në stacionet e tyre policore.

Misioni i OSBE-së në Kosovë ka për mandat mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut dhe të drejtave të komuniteteve, si dhe demokratizimin dhe zhvillimin e sektorit të sigurisë publike. Misioni  rregullisht ofron kurse trajnimi të avancuara  dhe të specializuara për agjencitë e zbatimit të ligjit për të përmirësuar më tej kapacitetet e tyre. /KosovaPress//e.malaj/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.