“Nuk e prisja kaq të tmerrshme”, banesa e familjes Zhupani në Shijak do rindërtohet

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/1654634484665472/

TIRANË, 31 gusht/ATSH/ Banesa thuajse e rrënuar e familjes Zhupani në Shijak do të rindërtohet nga e para në kohë rekord.

Kështu premtoi Kryeministri Edi Rama, i cili vizitoi familjen e Hysen Zhupanit në Shijak, ku pa nga afër kushtet e vështira në të cilat jeton kjo familje me 5 anëtarë.

Pasi pa nga afër gjendjen në banesën thuajse të rrënuar të kësaj familje, Kryeministri Rama premtoi rindërtimin e saj shumë shpejt, para se të vijë stina e dimrit.

“Mirëmëngjes. Kjo sot është ndryshe. Shumë ndryshe. Por desha ta ndaj me ju pa bërë asnjë koment. Ditë të mbarë të gjithëve miqtë e mi”, shkruan Kryeministri, duke ndarë pamjet e banesës së familjes Zhupani të cilat i cilësoi “të frikshme”.

Shtëpia e Hysen Zhupanit, në Shijak, një godinë e rrënuar e ndërtuar 60 vjet më parë, nuk plotëson as kushtet më minimale për jetesë.

“Do të merremi me këtë çështje, do ta rindërtojmë komplet dhe do ta mobilojmë dhe ju do të keni një dhomë për të mësuar normalisht, që ti të vazhdosh të marrësh dhjeta”, iu drejtua kryeministri 3 fëmijëve të kësaj familje.

Pasi mbajti premtimin për të vizituar familjen Zhupani, Rama u shpreh se “nuk besoja se situata do të ishte kaq e tmerrshme”. “Do ta bëjmë shpejt, ta kam dhënë fjalën që do të vija, por nuk besoja se do të ishte kaq e tmerrshme. Është e frikshme, do ta mbarojmë para se të vij dimri”, tha Rama./m.m/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.