KShH dënon sulmin me armë ndaj banesës së gazetares Klodiana Lala

TIRANË, 31 gusht /ATSH/ – Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) ka dënuar sot fuqimisht sulmin me armë ndaj banesës së gazetares së njohur Klodiana Lala dhe familjarëve të saj.

KShH e konsideron këtë si një akt jo vetëm banditesk, por edhe frikacak me synim për të ushtruar presion dhe kërcënim ndaj fjalës së lirë.

“Gazetarja Klodiana Lala e ka kryer me ndershmëri, integritet dhe guxim misionin e saj si gazetare profesioniste për të marrë informacion dhe për t’ja dhënë atë publikut të gjerë, duke nxitur kështu debatin dhe kritikën, si dhe duke ndihmuar intensifikimin e luftës kundër kriminalitetit. Kritikat e saj ndaj politikanëve dhe përfaqësuesve publikë kanë synuar jo vetëm për të kritikuar çdo veprim të kundraligjshëm, por dhe për të ruajtur figurën e pastër të tyre”, thekson KShH.

KShH vlerëson maksimalisht mbrojtjen e lirisë së shprehjes dhe të drejtës kushtetuese të medias në një shoqëri demokratike.

KShH përgëzon dhe inkurajon gazetaren Klodiana Lala për qëndrimin e saj dinjitoz dhe vendosmërinë për të vazhduar misionin e saj në shërbim të shoqërisë, luftës kundër korrupsionit, forcimit të organeve të drejtësisë si dhe zbatimit të parimit se “Njerëzit janë të barabartë përpara ligjit”.

KShH i bën thirrje organeve të ndjekjes penale që ta hetojnë këtë çështje me precedencë, me objektivitet dhe në mënyrë të gjithanshme, duke zbuluar jo vetëm autorët e këtij krimi por sidomos motivet e vërteta.

/gj.mima/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.