Investimet, përgjigje e shpejtë për urgjencat kardiake në spitalin e Fierit

TIRANË, 31 gusht/ATSH-Maela Marini/ Spitali rajonal i Fierit do të mbulojë gjithë urgjencat kardiake të rajonit jugor të vendit, falë investimeve që po bëhen në laboratorin e ri të hemodinamikës.

E ftuar në një studio televizive, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu u ndal te investimet madhore që po ndërmerren në spitalet e vendit për të tranformuar shërbimin shëndetësor.

Ajo u ndal te investimi në spitalin rajonal të Fierit, ku po hapet laboratori më i ri i hemodinamikës.

Kjo pritet të ulë fluksin e urgjencave në QSUT, tha Manastirliu, duke theksuar se janë edhe dy laboratorë të tjerë në Shkodër dhe në spitalin “Shefqet Ndroqi”, ku pacientët mund të marrin këto shërbime.

“Gurët e themelit janë vënë dhe investimet pritet të përkthehen në shërbime më të mira për qytetarët”, tha Manastirliu.

Duke folur për objektivat e vitit të ardhshëm, Manastirliu veçoi investimet në spitalin rajonal të Elbasanit, maternitetin e Korçës, investimet madhore në QSUT, në spitalin e Kukësit, si dhe në pediatrinë e spitalit të Durrësit.

Investime, sipas saj, do të ketë edhe në teknologji dhe në pajisje biomjekësore.

Lidhur me burimet njerëzore, Manastirliu tha se, vitin e ardhshëm dalin edhe 300 mjekët e parë specialistë, të cilët do të jenë pjesë e sistemit shëndetësor. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.