Basha: Vendi në krizë të trefishtë, bashkëqeverisje me krimin

TIRANË, 31 gusht/ATSH – I. Vata/ – “Nuk ka asnjë pakt me PS për reformë zgjedhore para se ne t’i japim zgjidhje problemit të krimit. Nuk do të ketë pakt tjetër Basha-Rama. Nuk do të ketë bashkëqeverisje PS-PD, por do t’i japim fund kësaj qeverie”, – deklaroi kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha në bashkëbisedim me gazetarët sot në selinë e PD-së.

Basha e ka paraqitur situatën në vend të rëndë, si në aspektin ekonomik dhe kryesisht atë të sigurisë së jetës së qytetarëve, pasi sipas tij, qeveria bashkëqeveris me krimin.

Më tej Basha shtoi se kriminelët kanë akses në qeveri, sepse me krimin ulet ministri i Brendshëm dhe kryetari i grupit parlamentar të PS-së, apo deputetë të tjerë.

“Fatkeqësisht, kjo verë nuk ka qenë e nxehtë vetëm për shkak të temperaturave të motit, por ka qenë e nxehtë edhe në vazhdimin e skandaleve dhe krizën e trefishtë ku ndodhet vendi. Së pari, dhe më kryesorja bashkëqeverisja e qeverisë me krimin dhe kriminelët. Kriminelët kanë akses dhe ata ulen gju më gju me Qeverinë, ulet ministri i Brendshëm, kreu i grupit Parlamentar dhe deputetë të tjerë”, – tha Basha.

Më tej Basha tha se skandalet e verës treguan më së miri se si qeveria bashkëpunoi me krimin.

“I turpshëm dhe i neveritshëm është reagimi i Prokurorisë, që duhet të nisë veprimet menjëherë për një hetim gjithëpërfshirës. Tallje është Twitter-i i Edi Ramës. Gazetarja kishte denoncuar aferën “Çyrbja”. Përgjimet tregojnë se si deputeti socialist komunikon në telefon me një anëtar të bandës së Emiliano Shullazit, duke iu referuar bandës me “ne”. Sot e kësaj dite nuk ka reaguar prokuroria”, – u shpreh kreu i PD-së.

Basha theksoi se prioritet kryesor i Partisë Demokratike është shkëputja e krimit nga politika dhe se zgjidhja është largimi i qeverisë.

Basha duke folur për situatën ekonomike theksoi se Shqipëria po bie në greminë dhe detyra jonë kryesore është të ndalim këtë situatë. “Prioriteti ynë kryesor mbetet ndërprerja e lidhjeve të politikës dhe të qeverisë me krimin, ky do jetë prioritet që do të diktojë dhe planin e punës së opozitës”, – tha Basha.

Po ashtu, Basha tha se opozita do dalë e bashkuar në zgjedhjet lokale dhe do të përballet e bashkuar në të gjitha sfidat. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.