​Haradinaj: Kroacia tradicionalisht ka përkrahur Kosovën

TIRANË, 31 gusht/ATSH/ – Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj gjatë vizitës zyrtare që po zhvillon në Kroaci, në kuadër të Forumit të Dubrovnikut, ka zhvilluar sot një takim bilateral me Kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkovic.

Kryeministri Haradinaj ka shprehur falënderimin e tij për përkrahjen e vazhdueshme që Kroacia i ka dhënë dhe po vazhdon t’i japë Republikës së Kosovës, në konsolidimin ndërkombëtar të saj.

Siç njofton Zyra e Kryeministrit, Haradinaj tha se qeveria e Kosovës i vlerëson marrëdhëniet e shkëlqyera me shtetin kroat duke e marrë si shembull të mirë për rrugëtimin euroatlantik.

“Kroacia tradicionalisht ka përkrahur Kosovën, edhe atëherë kur Kosova nuk kishte pozicion të barabartë kushtetues me njësitë e tjera federale”, – tha Kryeministri Haradinaj.

Duke kërkuar që marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve të thellohen edhe më tepër, Kryeministri Haradinaj tha se Kroacia është partner i rëndësishëm ekonomik i Kosovës dhe ky trend do të vazhdojë edhe në të ardhmen përmes rritjes së investimeve që do të ndikojnë në rritjen e zhvillimit ekonomik dhe të mirëqenies së qytetarëve të Kosovës.

Kryeministri Haradinaj tha se përkrahja e Kroacisë si vend anëtar i BE-së është e një rëndësie të veçantë për proceset nëpër të cilat po kalon Kosova, me theks të veçantë liberalizimin e vizave, anëtarësimin në Këshillin e Europës, INTERPOL dhe UNESCO.

Kryeministri Haradinaj tha se institucionet e Kosovës në vazhdimësi kanë qenë të përkushtuara në integrimin e të gjitha komuniteteve, përfshirë këtu edhe komunitetin kroat.

Ndërkaq, Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkovic, tha se Kroacia do të jetë mbështetëse e Kosovës në rrugën e saj eurointegruese. Poashtu, ai tha se Kroacia do të jetë partnere dhe lobuese e Kosovës për fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare. /KosovaPress//e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.