UASHINGTON – SHBA: Asgjë nuk mund të justifikojë krimet e luftës në Jemen

UASHINGTON, 30 gusht /ATSH-AFP/ – SHBA-ja bëri të ditur se do të marrë seriozisht një raport hetimor të OKB-së që evidenton krime të mundshme lufte të kryera nga të gjitha palët e përfshira në konfliktin në Jemen, përfshirë Arabinë Saudite, aleate e Uashingtonit.

‘’Pas konsultimit të këtij raporti të Këshillit për të Drejtat e Njeriut, u evidentuan shkelje të mundshme të ligjit ndërkombëtar, që kanë ngjallur shqetësimin e thellë të qeverisë amerikane’’, deklaroi për median zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Heather Nauert.

‘’Mendojmë se asgjë nuk mund të justifikojë krime të tilla, nëse janë kryer realisht’’, shtoi ajo, duke i kërkuar palëve në konflikt të marrin masat e nevojshme për të parandaluar shkelje të tilla.

Gjithësesi, ajo nuk ka dashur të nxjerrë konkluzione përsa i përket mbështetjes amerikane në koalicionin nën drejtimin saudit që po ndërhyn ushtarakisht në Jemen kundër rebelëve huthis të mbështetur nga Irani, armik i betuar i Uashingtonit në rajon.

Koalicioni është paralajmëruar në veçanti nga ekspertët e mandatuar nga OKB-ja./ /v.b/ a.jor.

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.