Siguria ushqimore, ministri Peleshi publikon shifrat

99

TIRANË, 30 gusht/ATSH-Maela Marini/ Gjatë periudhës 1 qershor deri në 15 gusht 2018 janë kryer 6543 inspektime nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, si dhe janë asgjësuar 313 tonë ushqime.

I ftuar në një studio televizive, ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Niko Peleshi u ndal te sfidat në drejtim që garantimit të sigurisë ushqimore në vend.

Peleshi theksoi se Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) për vite me radhë ka qenë një institucion që vendosej në tryezën e pazarit politik të partive. “Kjo çështje ka filluar keq që kur është ndarë politikisht në të kaluarën se kush do ta administronte”, – tha Peleshi.

Ai vlerësoi punën pa kompromis dhe me integritet të këtij institucioni, i cili tani i shkon deri në fund të gjitha shkeljeve.

“Janë bërë mbi 6 mijë kontrolle dhe 1/3 e tyre janë rreth zonave turistike, sepse fluksi dhe numri i konsumatorëve disafishohet”, – tha Peleshi.

Peleshi theksoi se “deri tani AKU ka bllokuar dhe asgjësuar 106 tonë ushqime, por në total janë mbi 313 tonë ushqime, sepse mbi 200 tonë të tjera i kanë vetofruar vullnetarisht pranë AKU-së bizneset”.

Lidhur me sigurinë ushqimore, ministri theksoi po ashtu se “puna filloi me mbylljen e 100 thertoreve dhe tani kemi rreth 35 thertore pranë standardit të BE-së”.

Problemet, sipas Peleshit fillojnë nga inputet bujqësore, farat, fidanët, pesticidet e plehrat kimike dhe cilësia e tyre, për të cilat është forcuar puna duke bllokuar sasi të rëndësishme.

“Jemi duke e stabilizuar këtë treg”, – shtoi Ministri, duke theksuar se në fakt “fermerët shqiptarë përdorin shumë më pak kimikate se sa fermerët e vendeve të zhvilluara, sepse nuk kanë mundësi financiare”.

Produktet shqiptare, vijoi Peleshi, “janë më pastra se të gjitha vendet e tjera të BE-së dhe kjo faktohet edhe nga fakti se tani jemi një vend eksportues produktesh bujqësore”. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.