Projekt Ballkanik për mbrojtjen e jetës së egër nga helmimi

TIRANË, 30 Gusht / ATSH / – 5 Shtete, 6 Organizata në mbrojtje të shpendëve dhe mjedisit në Ballkan, të bashkuara për të luftuar helmimin e paligjshëm te kafshët e egra si një fenomen dominues në të gjitha vendet.

Projekti Kundër-Helmimit në Ballkan (PBKH) është një nismë ndërshtetërore (Shqipëri, Bosnje-Hercegovinë, Kroaci, Maqedoni dhe Greqi) që bashkon organizatat e ruajtjes së kafshëve të egra, agjencitë qeveritare dhe palët e tjera të interesit si; shoqatat e gjuetisë, fermerët dhe shkencëtarët, për të trajtuar e adresuar helmimin e paligjshëm të kafshëve të egra, faktorët që çojnë në përdorimin e helmeve dhe më e rëndësishmja studimi i efekteve të dëmshme të tij në speciet e kafshëve të egra.

Helmimi i paligjshëm i kafshëve të egra ka kontribuar në zhdukjen rajonale dhe reduktimin masiv të të gjitha llojeve të shkabave në rajon dhe është pengesa kryesore për rikthimin e tyre në Ballkan,

Në Shqipëri, nga 4 specie të ndryshme shkabash dikur folezuese, sot gjendet vetëm Kali i Qyqes (Neophron percnopterus). Helmimi është shkaku kryesor i humbjes së tyre.

Projekti Kundër-Helmimit në Ballkan (PBKH) zbatohet nga Fondacioni për Ruajtjen e Shkabave (VCF) me mbështetjen financiare të Fondacionit MAVA.

Projekti përfaqëson një pjesë të plotë të Projektit Kundër-Helmimit në Mesdhe (PKHM) që zbatohet nga Fondacioni për Ruajtjen e Shkabave (VCF) me mbështetjen financiare të Fondacionit MAVA. Projekti nisi të zbatohet në fillim të vitit 2018 me qëllim që të sigurohet angazhimi serioz dhe i vazhdueshëm i autoriteteve qeveritare përkatëse në rajonin e Ballkanit për trajtimin e problemit të helmimit të paligjshëm të kafshëve të egra, si dhe të rritet aftësia e këtyre autoriteteve për t’iu kundërpërgjigjur kësaj dukurie.

Ky projekt ndihmon drejtpërdrejt në zbatimin e Planit të Veprimit për Shkabat – një dokument strategjik thelbësor për ruajtjen e shkabave të Botës së Vjetër, duke zbatuar veprimtari kundër helmimit në Shqipëri, Bosnje dhe Hercegovinë, Kroaci, Greqi dhe Maqedoni dhe po bën progres në punën e nisur nga Fondacioni për Ruajtjen e Shkabave për zbatimin e Planit të Veprimit për Shkabat në Ballkan. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.