Policia, aksion anti-drogë me partnerët italianë

TIRANË,30 gusht/ATSH- I. Vata/ – Policia e Shtetit dhe Policia italiane, operacion të përbashkët kundër një tentative për trafik narkotikësh. Policia e shtetit bën të ditur se një ditë më parë, Policia Kufitare e Vlorës mbi bazën e informacioneve të siguruara në rrugë operative është vënë në ndjekje të një mjeti detar, i dyshuar për trafik narkotikësh, duke njoftuar njëkohësisht Prokurorinë e Krimeve të Rënda për rastin.

“Pasi kanë humbur kontaktet dhe mjeti në ndjekje hyri në ujërat ndërkombëtare, Policia Kufitare njoftoi autoritetet italiane dhe nisi koordinimi i veprimeve. Në orët e para të mëngjesit të sotëm, Policia e Shtetit dhe Guardia di Finanza në Itali finalizuan me sukses operacionin, edhe si rezultat i bashkëpunimit efektiv të forcave policore të dy vendeve, nëpërmjet zyrave ndërlidhëse”, shprehet Policia e Shtetit.

Po ashtu shpjegohen detajet e operacionit ku thuhet se “Në afërsi të lokalitetit Sant Andrea, Otranto, u bë i mundur sekuestrimi i mjetit në ndjekje, që drejtohej nga dy shtetas shqiptarë me iniciale D.G., 22 vjeç dhe A.R., 30 vjeç. Në skaf u sekuestrua rreth 700 kg marijuanë.

Policia e Shtetit, në bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë mbetet e angazhuar për të goditur çdo paligjshmëri, e fton këdo që ka informacion të denoncojë në anonimat, në numrin falas 112 apo Komisariatin Dixhital! /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.