Librazhd, mensë sociale për familjet në nevojë

TIRANË, 30 Gusht /ATSH/ -Për herë të parë Bashkia e Librazhdit, me ndihmën e donatorëve shqiptarë e të huaj, ka ngritur një mensë sociale e cila u vjen në ndihmë më shumë se 80 personave.

Kjo mensë ofron vaktin e drekës për familjet në nevojë ndërkohë që më nevojtarët mund të marrin edhe ushqim me vete në shtëpi.

Kryetari i Grupit Parlamentar Taulant Balla dhe Kryetari i Bashkisë së Librazhdit Kastriot Gurra panë nga afër kushtet dhe shërbimin që ofrohet në këtë mensë.

“Vëmendja jonë është ndaj njerëzve të thjeshtë e të zakonshëm të këtij vendi dhe këtu në Librazhd kishim menduar prej kohësh, që përveç pjesës së trajtimit me ndihmë ekonomike, në kuadër të skemës kombëtare të ndihmës ekonomike, për familjet shumë të varfra të Librazhdit, të mundësonim edhe një mensë sociale, një model që ekziston në shumë vende të botës.
Ky është një projekt që e kemi nisur me mbështetjen e donatorëve shqiptarë e të huaj, të cilin duam ta zgjerojmë, qoftë në numër, qoftë në zona të tjera, me qëllim që ato familje të cilat, megjithë skemën e ndihmës ekonomike, t’u sigurojmë një vakt të plotë ushqimor” tha Balla.

Për kryetarin e Bashkisë, Gurra, ndërtimi i një mense të tillë ishte i domosdoshëm për t’u ardhur në ndihmë atyre që kanë më shumë nevojë.

“Kemi bërë të mundur gjetjen e sponsorëve për të ndërtuar një mensë e cila i mungonte këtij qyteti. Sigurisht që ne jemi të ndërgjegjshëm që një kategori e caktuar njerëzish kanë pamundësi financiare për të përballuar jetesën dhe për këtë arsye ne kemi krijuar këtë mencë e cila ka një frekuentim ditor që shkon në 70-80 persona” theksoi Gurra.

Mensa sociale e Librazhdit ka nisur funksionimin prej pak ditësh ndërkohë që Bashkia e Librazhdit shpreson që projektin ta zhvillojë edhe më tej dhe të shtohet numri i përfituesve.

/gj.mima/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.