Agroturizmi 2018, u katërfishua numri

279

TIRANË, 30 gusht/ATSH-Maela Marini/ “Kemi një katërfishim të numrit të agroturizmeve të hapura për vitin 2018, që dëshmon se agroturizmi do të jetë një trend i ri për biznesin shqiptar”.

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Niko Peleshi, i ftuar në një studio televizive, foli sot për potencialin që ka zhvillimi i agroturizmit në Shqipëri.

Duke iu referuar regjistrimeve në QKL, Peleshi tha se “nga viti 2012 ka pasur 2-12 regjistrime të vetëdeklaruara si agroturizëm, ndërsa vetëm këtë vit deri tani janë regjistruar 43 të tillë”.

Agroturizmi është një instrument për të shtrirë sezonin turistik gjatë gjithë vitit, ndaj dhe qeveria ka ndërmarrë incentiva fiskale për stimulimin e këtij sektori.

Agroturizmi, sipas tij, është një mundësi e artë për të dalë përtej sezonit intensiv të bregdetit dhe për të pasur ofertën turistike të shtrirë edhe në fshatrat tona, ku kemi trashëgimi kulturore, kulinari të pasur, zakone e tradita.

Peleshi u shpreh se, me agroturizmin po mundohemi të krijojmë një nënsektor të ri për biznesin në Shqipëri.

“Incentiva fiskale më e fortë në Shqipëri është për hotelet me 5 yje dhe agroturizmin. TVSH-ja është ulur në 6 %, tatim-fitimi është ulur nga 15 % në 5 % dhe taksa e ndërtimit në infrastrukturë është bërë zero. Këto ka pak javë që janë miratuar dhe nuk kemi ende efekte të matshme”, – tha Peleshi.

Sipas Peleshit, “ende nuk mund të pretendohet se agroturizmi ka sjellë numrin më të madh të turistëve, pasi ai është ende ‘foshnjor’, por me një të ardhme të jashtëzakonshme”.

“Nuk është e mjaftueshme t’i kesh, por të dish t’i marketosh dhe t’i shesësh këto pasuri, duke i ndërthurur me paketa turistike që shtojnë vlerën dhe e mbajnë turistin më tepër në Shqipëri”, – tha Peleshi.

Në këtë drejtim, Ministri vuri në dukje masat që po merren masat për marketimin dhe promovimin e produkteve vendase.

“Ne po krijojmë inkubatorët apo punishtet e vogla ku fermerët e artizanët ftohen në kushte të certifikuara të prodhojnë produktet e tyre të mbështetura në 70 % nga skema jonë financiare, që t’i qasen kanaleve të tregut në mënyrë formale. Nuk duam ta vdesim këtë lloj tregu, por ta inkurajojmë prodhimin vendas. Ndaj po financojmë deri në 150 milionë lekë grante nga AZHBR-ja për ngritjen e punishteve”, – shtoi Peleshi. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.