Sqaron Gjykata e Strasburgut

TIRANË, 29 gusht/ATSH – I. Vata/ – Gjykata e Strasburgut shpjegon për mediet se “në vitin 2014, një zyrtar i afërt me Qeverinë Shqiptare (z. Denar Biba) kontaktoi z. Ledi Bianku, gjyqtar për Shqipërinë, duke kërkuar që Gjykata të shtyjë shqyrtimin e çështjeve në lidhje me kthimin e pronës.

Megjithatë, Gjykata e Strasburgut thotë se ky episod nuk ndikoi në vendimin përfundimtar për ta pranuar kërkesën e delegacionit shqiptar për të shtyrë shqyrtimin e çështjeve për kthimin dhe kompensimin e pronave.

Në vitin 2014 kërkesa u refuzua për arsye se vendimin s’mund ta merrte Presidenti i Gjykatës, por u pranua në vitin 2016 nga Dhoma relevante e saj.

“Kërkesa zyrtare për shtyrjen e rasteve në lidhje me kthimin e pronës është bërë në të njëjtën datë në një takim midis autoriteteve të Gjykatës Europiane dhe autoriteteve shqiptare. Kjo kërkesë mori të njëjtin refuzim të plotë. Në veçanti, çdo vendim i tillë ka qenë në kompetencë e Dhomës, tek e cila rastet ishin në pritje të shqyrtimit dhe nuk mund të merreshin nga Presidenti i Gjykatës. Për më tepër një kërkesë e tillë mund të shqyrtohej vetëm në përputhje me rregullat normale procedurale”, shpjegon Gjykata e Strasburgut.

Po ashtu në reagimin e Gjykatës së Strasburgut thuhet se “më pas, në vitin 2016, Dhoma relevante e Gjykatës vendosi të shtyjë shqyrtimin e këtyre rasteve. Megjithatë, kjo shtyrje nuk ka lidhje me ngjarjet e vitit 2014.
Gjykata e Strasburgut sqaron gjithashtu se të gjitha vendimet për rastet merren në një formë gjyqësore dhe në përputhje me procedurën e përcaktuar në Rregulloren e Gjykatës./e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.