Sigurimet i mohuan 7 vite kontribute, qytetarja gjen të drejtën në platformë

TIRANË, 29 Gusht /ATSH/ -Zonja Fatmire Llaha nga Elbasani iu drejtua Platformës së bashkëqeverisjes shqiperiaqeduam.al me një ankesë kundrejt Drejtorisë së Sigurimeve Shoqërore dega Elbasan, e cila nuk i kishte përfshirë një periudhë 7 vjeçare të kontributeve, periudhë në të cilën zonja kishte hedhur kontributet. Përfshirja e periudhës sigurisht që solli rritje të pensionit që përfiton zonja Fatmire, por edhe marrjen e shumave të vonuara që i takonin.

Zonja Fatmire falenderoi Platformën e bashkëqeverisjes që u shpreh ajo, “ka një rrugëzgjidhje për ne”. “Falënderoj koordinatorët e Platformës që i dha rrugëzgjidhje problemit të pensionit tim. I derdha kontributet, por merrja shumë pak lekë. Dëgjova në televizor për platformën por nuk dija si të shkruaja. Pashë një djalosh që kishte shkruar për xhaxhin e tij. Erdhi djali në korrik i thashë dhe vajti në Itali tek goca dhe aplikuan atje nga Italia dhe në korrik i erdhi përgjigja. Falemnderit të gjithëve”, tha ajo.

Kryeministri Rama u shpreh se , “këto janë dëshmi reale, sepse platforma është reale dhe pavarësisht atyre që e shohin me dyshim janë të mirëkuptuar sepse e shohin me dyshim. Fakti është që platforma funksionon për këdo. Të gjithë ata që kanë qenë në pozitën që ka qenë zonja që ka dashur ta hedh këtë hap, por ska ditur sesi, janë disa zyra të hapura prej nesh, si në zyrat e PS, por nuk janë të detyruar të shkojnë ata që kanë parti tjetër, por kanë hallin dhe duan të aplikojnë, ata mund të shkojnë tek zyrat e postës.

“Siç tha Rigesta ne nuk zgjidhim vetëm problemin, por shohim edhe se kush ishte fajtor. Në këtë rast janë dy punonjës që kanë zvarritur çështjen dhe masat janë nga vërejtje deri në ndjekje penale”.

/gj.mima/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.