SHBA – Arizona i jep lamtumirën senatorit John McCain

UASHINGTON, 29 gusht /ATSH-AFP/ – Arizona i dha lamtumirën sot senatorit John McCain, personalitet me peshë të politikës amerikane. Ai vdiq të shtunën në moshën 81 vjeç nga kanceri në tru.

‘’Ai e vuri jetën në shërbim të kombit’’, u shpreh Jon Kyl, ish-senator i Arizonës, gjatë ceremonisë në parlamentin lokal, Phoenix, në prani të bashkëshortes Cindy dhe fëmijëve të tij.

Trupi i ish-pilotit u dërgua në Kapitol shoqëruar me një eskortë të forcave ushtarake. Arkivoli i mbuluar me flamurin amerikan u përshëndet me nderime nga ushtarakë, forca zjarrfikëse dhe anëtarë të forcave të policisë.

Vdekja e tij trishtoi klasën politike amerikane. Funerali kombëtar, ku priten të jenë të pranishëm ish-presidentët Barack Obama dhe George W. Bush, por pa pjesëmarrjen e Donald Trump është planifikuar të mbahet të shtunën në Uashington.

Varrimi me praninë e familjarëve do të zhvillohet të dielën në varrezat e Akademisë Detare të Annapolis, pranë kryeqytetit federal amerikan./

/v.b/

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.