Qeveria miraton projektligjin për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë

TIRANË, 29 gusht/ATSH – I. Vata/ – Këshilli i Ministrave ka miratuar në mbledhjen e sotme projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9831, datë 12.11.2007, “Për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist”, të ndryshuar”.

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, 83, pika 2, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, ministrit të Drejtësisë dhe ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave, vendosi: “Propozimin e projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9831, datë 12.11.2007, “Për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist”, të ndryshuar”, për shqyrtim dhe miratim, me procedurë të përshpejtuar në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.”

Projektligji për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist

Këshilli i Ministrave ka miratuar në mbledhjen e sotme projektligjin për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9831, datë 12.11.2007, “Për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist”, të ndryshuar. Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pikat 1 e 2, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, vendosi: Në ligjin nr. 9831, datë 12.11.2007, “Për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist”, të ndryshuar, bëhen këto shtesa dhe ndryshime: Neni 1- Në nenin 8 shtohet pika 3, me këtë përmbajtje: “3. Në rastin kur e drejta e përfitimit të dëmshpërblimit financiar përfundon me mbylljen e rrethit të familjarëve që nuk jetojnë, të përcaktuar sipas pikës 1 të këtij neni, dëmshpërblimi financiar, për pjesën takuese të tyre, kalon në buxhetin e shtetit”.

Dëmshpërblimi të mos jetë më i madh se 1,000,000 (një milion) lekë

Po ashtu, Neni 2 – Në nenin 12 bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon: Paragrafi i parë ndryshon me këtë përmbajtje: “Në bazë të buxhetit vjetor të vënë në dispozicion, fondi i dëmshpërblimit të ish-të dënuarve politikë nga regjimi komunist do të ndahet në mënyrë proporcionale për të gjithë përfituesit, me kusht që kësti i dëmshpërblimit të mos jetë më i madh se 1,000,000 (një milion) lekë. Për të gjitha subjektet përfituese parësore, kur vlera totale e dëmshpërblimit është mbi 8,000,000 (tetë milionë) lekë, do të vijohet me pagesën e këstit pasardhës deri në shpërndarjen e plotë të shumës së miratuar.

“Në rast se vlera totale e miratuar për të gjithë përfituesit është deri në 1,000,000 (një milion) lekë, shpërndarja e dëmshpërblimit do të kryhet me një këst të vetëm, pavarësisht fazës në të cilën ndodhet shpërndarja e dëmshpërblimit”. Paragrafi i katërt ndryshon me këtë përmbajtje: “Me kryerjen e pagesës së dëmshpërblimit, për të gjithë përfituesit, brenda këstit më të ulët, fillon pagesa e këstit pasardhës. Ky mekanizëm do të përsëritet deri në shpërndarjen e plotë të shumës së dëmshpërblimit”.

Paragrafi i pestë shfuqizohet. Neni 3- Në nenin 13, paragrafi i tretë ndryshon me këtë përmbajtje: “Ministri përgjegjës për financat urdhëron shpërndarjen e dëmshpërblimit, sipas nenit 12 të këtij ligji”.

Neni 4-Në nenin 29, pas paragrafit të dytë shtohet paragrafi i tretë me këtë përmbajtje:

“Gabimet e bëra në të dhëna ose në llogaritjen e masës së shpërblimit, ose ndonjë pasaktësi e dukshme në vendimin e Këshillit të Ministrave për miratimin e dëmshpërblimit financiar, mund të rishikohen me vendim të Këshillit të Ministrave”.

Neni 5 – Kudo në përmbajtjen e ligjit, emërtimet “Ministria e Financave” dhe “Ministri i Financave” zëvëndësohen me fjalët “… ministria përgjegjëse për financat …” dhe “… ministri përgjegjës për financat …”.

Neni 6 – Hyrja në fuqi. Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren Zyrtare”. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.