FOTO/ Berat, aksion për pastrimin e Kalasë

TIRANË, 29 gusht/ATSH/- Monumentet e kulturës dhe sitet arkeologjike të Shqipërisë çdo ditë e më shumë po vizitohen nga turistë vendas e të huaj, të cilët kanë interes të mësojnë për historinë dhe kulturën e vendit tonë.

Mbajtja pastër e ambienteve rreth monumenteve, ashtu si në fillim të sezonit, por edhe tani që është në prag të përfundimit të tij, vijon të jetë në vëmendjen e institucioneve përgjegjëse.

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Berat në bashkëpunim me Administratën Rajonale të Zonave të Mbrojtura Berat dhe Smile Albania organizuan ditët e fundit një aksion pastrimi në ambjentet e kalasë së Beratit.

“Mbajtja pastër e ambienteve rreth monumenteve dhe jo vetëm është detyrë dhe përgjegjësi për të ofruar një turizëm cilësor. Aksione të tilla kërkojnë të ndërgjegjësojnë dhe të tërheqin vëmendjen e komunitetit për mbajtjen pastër të një mjedisi me vlera kulturore siç është kalaja e Beratit”, shprehet DRTK, Berat.

Kalaja e Beratit vijon të jetë atraksioni turistik i preferuar për turistët e huaj dhe vendas në këtë sezon veror. Gjatë 20 ditëve të para të muajit gusht kalaja e Beratit u vizitua nga 14669 vizitorë, mes të cilëve 9612 kanë qenë vizitorë të huaj.

Kalaja e Beratit është një nga monumentet më të mëdha historike të Ballkanit, një fortesë e madhe që sundon mbi lumin Osum. /k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.