2740 hektar tokë janë pastruar nga procesi i dezinsektimit

TIRANË, 29 gusht/ATSH/ – Procesi i dezinsektimit vijon të zbatohet në të gjithë territorin e vendit dhe sidomos në zonat të cilat janë potencial  për t’u kthyer në burim infeksioni, ku ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka kryer këtë proces në 2740 hektarë tokë në të gjithë vendin, duke i pastruar ato nga insektet e ndryshme.

Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu në një intervistë televizive, duke theksuar se ky proces nuk është kryer për më shumë se 20 vitesh dhe se rezultatet deri tani kanë qenë mjaft të mira.

“Ne kemi 3 vite qe po kryejmë procesin e dezinfektimit, një proces që nuk kryhej për më shumë se 20 vitesh. Në fakt ishte një  eksperiencë shumë e mirë dhe një praktikë shumë e mirë për ne e cila po përmirësohet vit pas viti. Në këtë vit kemi shtuar dy zona të reja për të dezinsektuar dhe sigurisht që janë të përcaktuara nga ekspertët e ISHP, të gjitha ato zona që janë në risk për infeksione. Kemi filluar që në muajin prill që para sezonit turistik dhe ende po vijon deri në muajin shtator si një  program i mirëfilltë i ISHP për të garantuar uljen e infeksioneve dhe të gjitha problematikave që vijnë nga këto. Dua të theksoj se janë 2740 hektar të cilat në zonat kanë rezultuar të infektuara ku është kryer procesi i dezinfektimit”, – përfundoi ministrja.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.