Siguria në rrugë, ulet me 16.6 % numri i aksidenteve në korrik

TIRANË, 28 gusht/ATSH/ Rritet siguria në rrugët e Shqipërisë. Sipas INSTAT rezulton se, në muajin korrik 2018, numërohen 166 aksidente rrugore, nga 199 aksidente të ndodhur në korrik 2017, duke u ulur me 16,6 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në korrik 2018, numri i të aksidentuarve është 210 persona, nga 272 që ishte një vit më parë, duke u ulur me 22,8 %. Po ashtu, numri i personave që humbën jetën në aksidentet rrugore është 18 persona, nga 22 që ishte një vit më parë.

Numri i të aksidentuarve në shtatëmujorin 2018, është 1276, duke u ulur me 13,6 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në korrik 2018, aksidentet rrugore, në 74,1 % të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesve të mjeteve. Numri më i lartë i aksidenteve në këtë periudhë është kryer nga grupmosha 45 – 60 vjeç, duke zënë 27,1 % të numrit të aksidenteve gjithsej. /m.m/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.