Qeveria e Kosovës financon këndin e fëmijëve “Parku i Paqes” në Preshevë

TIRANË, 28 gusht /ATSH – I. Vata/ – Qeveria e Kosovës në mbledhjen e 62-të ka vendosur që komunës së Preshevës t’i ndajë ndihmë financiare për Parkun e Paqes dhe këndin e fëmijëve, deklaron Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj.

Në mbledhjen e sotme, qeveria e Kosovës ka marrë një sërë vendimesh të rëndësishme, si financimi i komunës së Preshevës, marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Konfederatës së Zvicrës, si dhe emërimin e Rashit Qalaj, Drejtor të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës.

Në vijim, Haradinaj shton se “kabineti qeveritar ka miratuar planin e aktiviteteve dhe buxhetin e realizimit të aksionit madhor për pastrimin e tërësishëm të Kosovës”.

“Janë miratuar edhe Projektligjet për Ratifikimin e Marrëveshjes për Sigurime Sociale ndërmjet Kosovës dhe Konfederatës së Zvicrës, si dhe Mbretërisë së Belgjikës”, shprehet Haradinaj.

Po ashtu Haradinaj shton se “sot, kam emëruar Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, që bazohet edhe në rangimin sipas Memorandumit të Kosovës me Mbretërinë e Bashkuar për rekrutimin e bartësve të pozitave të larta shtetërore, si dhe janë zgjedhur edhe drejtorët e Mjekësisë Ligjore dhe të Agjencisë së Meteorologjisë, Arsim Gërxhaliu dhe Ferki Fejza”. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.