TEKNOLOGJI – As djersë dhe as pluhur, fabrikat gjermane bëhen dixhitale

115

SHTUTGART, 27 gusht /ATSH-DPA/ – Pluhuri, vaji dhe tallashi kanë qenë pjesë e përditshmërisë së punëtorëve në fabrikat gjermane të “Trumpf”-it, prodhuesit të pajisjeve për makineri dhe teknologji lazer. Por, nuk do të jetë më kështu.

Në fabrikën që kompania ka në Shtutgart, një pllakë e madhe metalike rrëshqet mbi dysheme sikur një dorë e padukshme po e drejton.

Sallat janë të mëdha, të shkëlqyeshme dhe dukshëm të pastra, punëtorët nuk kanë nevojë të transportojnë fletë metali apo të lëvizin leva të rënda, por në të kundërt qëndrojnë të qetë pas monitorëve, ndërkohë që mbikëqyrin procesin e prodhimit.

Në jugperëndim të Gjermanisë, “Trumpf” dhe shumë kompani të tjera mesatare apo korporata të mëdha kanë punuar për një kohë të gjatë në dixhitalizimin e fabrikave.

Këto ndryshime janë bërë për të pasur mjedise më të pastra dhe kursimet që gjenerohen duke patur më pak punëtorë.

Fabrikat smart janë në zemër të ashtuquajturës “Industria 4.0”, revolucioni i katërt industrial. /G.S/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.