Rama: Nuk ka këmbime me BE-në, por secili të bëjë pjesën e tij

TIRANË, 27 gusht /ATSH/ – Në një intervistë për gazetën italiane “Corriere della Sera”, kreu i ekzekutivit shqiptar, Edi Rama tha se “marrëdhëniet mes Italisë dhe Shqipërisë kanë qenë gjithnjë të shkëlqyera, pavarësisht forcave politike në pushtet”.

“Duhej të bënim diçka për këta persona që pafuqia europiane i kishte kthyer në të burgosur”, thotë ai.

Kryeministri shqiptar Edi Rama konfirmoi pozicionin e qeverisë socialiste për të pritur 20 migrantë nga Eritrea që ndodhen në anijen “Diciotti”. Por, ai fton Kontinentin e Vjetër ta zgjidhë këtë çështje.

Si do të transferohen?

”Për këtë çështje po merren agjencitë kompetente. Ne do të bëjmë për ata atë që Italia bëri për ne, eritreasit e atëhershëm, kur na pritën dhe na ushqyen”.

Si kanë qenë negociatat me qeverinë italiane?

“Nuk ka patur asnjë negociatë. Donim të bënim diçka, por hezituam për të evituar mosmarrëveshjet me Romën. Biseda mes ministrave të Jashtëm e zgjidhi këtë gjë. Italia ka bërë shumë për ne dhe për Europën, por për shumë kohë është lënë vetëm”.

Do të prisni të tjerë?

“Nuk do e zgjidhte problemin. Shpresoj që Europa të zgjohet dhe që secili të bëjë pjesën e tij. E kemi thënë edhe në vitin 2015, shërben një plan europian dhe nuk do të mungojmë. Na e imponon historia, të qenurit europianë dhe shqiptarë”.

Ky gjest do të përshpejtojë hyrjen në BE?

“Nuk ka asnjë këmbim. Nuk e bisedova këtë çështje me Kryeministrin Conte. Këtu bëhet fjalë për jetë njerëzore. Në lojë ka gjëra të rëndësishme që kanë marrë peshë këto ditë”.

Dikur Salvini kritikonte hyrjen tuaj në BE…

“Nuk dua të gjykoj, nuk do të zgjidhte asgjë. Mbi çështjen “Diciotti” ka qenë mirënjohës. Objektivi është një pozicionim i bashkuar europian që sot nuk është”.

Çfarë raporti keni me Romën?

”Marrëdhëniet mes Italisë dhe Shqipërisë kanë qenë gjithmonë shumë të mira, pavarësisht nga partitë politike në pushtet. Pa Italinë nuk do të kishim ecur kaq shumë dhe jam i gëzuar që ”eritreasit” e ardhur dje nga Shqipëria sjellin vlera të shtuara në Itali”.

Pse ju intereson Bashkimi Europian?

”Është një pyetje që nuk ia bëjmë vetes: nuk e kemi humbur sensin e historisë, ëndërrojmë një të ardhme më të mirë dhe në një Europë të realizuar sipas shpirtit të Etërve Themelues. Të dalësh nga Bashkimi Europian do të thotë të dalësh nga historia, të ndryshosh Bashkimin Europian është të futesh tek e ardhmja”.

Dje emigronit, sot prisni migrantë…

“Kemi pritur gjithmonë popullatat në rrezik. Kujtoj hebrenjtë në arrati nga nazistët. Kujtoj gjysmë milioni kosovarë në vitin 1999. Kujtoj 3000 iranianët e liruar nga burgjet e Irakut. Kujtoj sirianët e mbërritur këta muaj”.

Ku duhet të përmirësohet Shqipëria?

“Po, në rrugën e europianizimit: kemi bërë shumë, por mbetet ende shumë për të bërë”.

Sidoqoftë, trafiku i drogës është shqetësues…

“Jemi mes atyre që kanë bërë shumë. Por, siç tregon lufta kundër mafias në Itali, kjo është një betejë që zgjat më shumë se seritë e ‘Gomorra’-s”. /g.s/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.