Markoviç: Shfrytëzim maksimal strategjisë së re të zgjerimit

TIRANË, 27 gusht /ATSH/ Kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviç i pranishëm në takimin informal me temë “Integrimi i Ekonomisë Rajonale” që u mbajt në Durrës, foli për perspektivën europiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe rolin që luajnë takime të tilla për avancimin e axhendës europiane për këto vende. Sipas tij, ka përparim të vendeve në drejtim të integrimit dhe kontribut të posaçëm kanë dhënë rezultatet e negociatave mes Greqisë dhe Maqedonisë për zgjidhjen e çështjeve të mbetura pezull mes tyre.

“Po ashtu, strategjia e re e zgjerimit e Bashkimit Europian është një shtysë e re pozitive për të gjithë ne sa i takon perspektivës europiane”, – theksoi Markoviç.

“Kemi rënë dakord që kjo mundësi të shfrytëzohet maksimalisht për të përmirësuar shtetin e së drejtës, standardet e jetesës për qytetarët dhe ekonominë. Duhet të jemi të përgatitur për ekonominë e tregut të përbashkët europian. Në këtë kuptim është e rëndësishme të përmbushim detyrimet dhe angazhimet e marra në Konferencën e Berlinit”, – u shpreh Markoviç.

Duke u fokusuar në arritjet e takimit informal në Durrës, kreu i qeverisë malazeze nënvizoi se në takim është rënë dakord që “plani i veprimit është axhenda europiane, që do të na mbajë në lëvizje të gjithëve që të jemi në gjendje për standarde më të larta dhe për më shumë vende të reja pune”.

Në emër të Malit të Zi, ai vlerësoi fuqimisht dhe falënderoi Kryeministrin Edi Rama për mbështetjen që dha në takim për hapjen e Institutit të Zhvillimit Teknologjik në Europën Juglindore, një nismë kjo për të shmangur rrjedhjen e trurit, për të mbajtur talentet në vendet tona, që të kontribuojnë në zhvillimin dhe integrimin”.

Markoviç përfundoi duke thënë se koha që shtrihet përpara të gjitha vendeve është e mbushur me sfida dhe rezultatet që do të arrihen do të jenë shumë të rëndësishme për perspektivën europiane.  /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.