Korçë/ Terminali i ri i autobusëve rregullon qarkullimin dhe ul ndotjen

TIRANË, 27 gusht/ATSH-Edison Caushi/ – Terminali i ri i autobusëve që po ndërtohet në qytetin e Korçës pritet që të ndikojë mjaft në lirshmërinë e lëvizjes së banorëve të zonës dhe projekti i terminalit të ri, do të jetë i integruar me planin e ri urban të qytetit të Korçës. Bashkia e Korçës bën me dije për Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSH), se ndërtimi i këtij terminali do të ndihmojë në shpërndarjen e saktë të fluksit të autobusëve dhe të taksive, të cilat do të stacionohen aty pranë, duke evituar kalimin brenda në qytet.

“Terminali i ri ka për qëllim të bëhet qendër e shkëmbimeve dhe të ketë aftësinë e lidhjes së zonës urbane dhe zonave jashtë qytetit. Në këtë drejtim, projekti do të jetë i integruar me Planin e ri Urban të qytetit të Korçës. Terminali është menduar si një grup i shërbimeve që ndodhin në vende të hapura dhe të mbyllura, ku udhëtari e mendon si një entitet të lirë dhe shkon nga një situatë në tjetrën. Projekti koordinon aspekte të ndryshme dhe të kundërta: lëvizja e udhëtarëve, lëvizja e mjeteve të transportit, lidhja me zonat urbane përreth. Është e rëndësishme të theksohet se shumica e pasagjerëve në udhëtime ndër-qytetëse shpërndahen aktualisht rreth shumë vendeve joformale ngjitjeje/zbritjeje nëpër qytet. Për këtë arsye, në të ardhmen një pjesë e rëndësishme e terminalit do të përfshijë një rritje në cilësinë dhe shpeshtësinë e operatorëve të autobusëve, por jo vetëm, si dhe shërbimet e taksive”, bën me dije bashkia.

I pozicionuar në pjesën veriperëndimore të qytetit terminali i ri ndodhet në një pozicion të favorshëm, pasi garanton lidhjen e qytetit të Korçës me kryeqytetin si dhe prek kryqëzimin me fluksin më të lartë të lëvizjeve automobilistike.

“Siti urban për ndërtimin e objektit të terminalit të autobusëve është i pozicionuar në pjesën veriperëndimore të qytetit. Pozicioni i këtij siti paraqitet i favorshëm, pasi ndodhet në kryqëzimin e flukseve më të rëndësishme të lëvizjes automobilistike që garantojnë lidhjen e qytetit të Korçës me kryeqytetin, Tiranën dhe pjesën veriore të Shqipërisë, si dhe me pikën doganore të Qafë-Thanës (Maqedoni), po ashtu edhe me pjesën jugore të Shqipërisë, përkatësisht me qendrat e qyteteve të Gjirokastrës, Sarandës, Ersekës, si dhe me pikën kufitare të Kapshticës (Greqi). Terminali i ri ka për qëllim të bëhet qendër e shkëmbimeve dhe të ketë aftësinë e lidhjes së zonës urbane dhe zonave jashtë qytetit. Në këtë drejtim, projekti do të jetë i integruar me Planin e ri Urban të qytetit të Korçë”, bën me dije bashkia e Korçës.

Ndërtimi i këtij terminali pritet që të ndikojë në përmirësimin e trafikut dhe uljes së ndotjes së ambientit në qytet si dhe duke përmirësuar qarkullimin.

“Terminali është pjesë e një strategjie të gjerë të transportit urban i cili do t’u japë zgjidhje nevojave urgjente për përmirësimin e trafikut dhe uljes se ndotjes se ambientit në qytet, nëpërmjet parkimit të gjithë mjeteve të transportit të udhëtarëve nga i gjithë vendi dhe krijimin e kushteve optimale për transportin e tyre në qytetin e Korçës.

Objektivi i këtij projekti është që të përmirësojnë lëvizshmërinë e përgjithshme, duke siguruar një terminal të transportit me kapacitet të plotë për të lejuar mjetet e transportit ndërqytetas të shkarkojnë pasagjerët, për lidhje me autobusë urban dhe taksi përgjatë korridorit kryesor me pjesën tjetër të qytetit, duke zvogëluar bllokimet e trafikut, përmirësimin në uljen e ndotjes së ajrit dhe konsumin e karburantit për transport”, përfundon bashkia Korçë.

Terminali i autobusëve Korçë, do te ndërtohet në një territor në pronësi të bashkisë Korçë me sipërfaqe rreth 12000 m2. Siti urban i parashikuar për ndërtimin e objektit të Terminalit të Autobusëve është pjesë e ish zonës industriale të Uzinës së Instrumenteve të Precizionit (UIP) të Korçës.

Organizimi i terminalit të autobusëve përfshin:

I . Vendet e parkimit te automjeteve qe përbehet nga :

– Terminali për autobusë ndër-qytetor dhe rreth-qytetor.

– Terminali për autobusët ndërkombëtare në pronësi të kompanive të transportit shqiptar dhe te huaj.

– Terminali i autobusëve urban.

– Zona e fugonave dhe taksive.

  1. Ndërtesa për udhëtarët dhe shërbime të tjera ku përfshihen:

– Salla e pritjes se udhëtarëve, biletari, back office, ambiente ndenje për shoferet, Bar/restorant, etj.

– Dyqane me artikuj të ndryshëm për udhëtarët.

– Zyrat për menaxhimin e terminalit.

– Zyra për agjencitë e transportit.

Ambiente për mirëmbajtjen, pastrimin e autobusëve, furnizimin me karburant dhe ambiente të tjera teknike.

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.