FRANCË – Macron: Regjimi sirian kërcënim për një krizë të re humanitare

PARIS, 27 gusht /ATSH-AFP/ – Presidenti francez, Emmanuel Macron e gjykoi sot si alarmante situatën në Siri, ku regjimi kërcënon se do të krijojë një krizë të re humanitare në rajonin e Idlibit, i fundit nën kontrollin e rebelëve.

Para ambasadorëve të mbledhur në Paris, shefi i shtetit bëri thirrje për të përforcuar edhe më shumë presionin mbi regjimin dhe aleatët e tij për një zgjidhje politike të konfliktit.

“Situata sot është alarmante sepse regjimi kërcënon të krijojë një krizë të re humanitare në rajonin e Idlibit dhe deri tani nuk po tregon asnjë vullnet për të negociuar tranzicionin më të vogël politik”, deklaroi Macron.

Regjimi i Bashar al Asadit është shprehur i vendosur që t’i rimarrë rebelëve provincën e Idlibit, në veriperëndim të vendit, në kufirin me Turqinë.

Ky rajon është bastioni i fundit i grupeve kryengritëse që janë larguar nga bastionet e tyre kryesore në gjithë Sirinë./ /G.S/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.