FOTO/ Memoriali i Skënderbeut në Lezhë drejt rijetëzimit

TIRANË,27 gusht /ATSH/ – Memoriali i Skënderbeut është vendi ku më 2 mars 1444 u mbajt “Besëlidhja e Lezhës” dhe ku më 17 janar 1468 u varros heroi kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu.

Puna vijon për restaurimin e Memorialit të Skënderbeut, Kishës së Shën Nikollit (Vendvarrimi i Skënderbeut) dhe Muret e Qytetit Antik Lis, Zona Breglumore e Parkut Arkeologjik.

Punimet në mbulesën e objektit, në kapriatë dhe në xhamin struktural po ecin me ritme të shpejta, duke na dhuruar kështu, pak nga pak, një imazh të ri të strukturës mbrojtëse të objektit.

Projekti i hartuar nga Instituti i Monumenteve të Kulturës financohet nga Ministria e Kulturës, si pjesë e programit “Rrugët e Besimit”, në kuadër të “Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut”.

Në Memorialin e Skënderbeut në Lezhë ndërhyrja e parashikuar nga IMK dhe Ministria e Kulturës qëndron në punimet restauruese në këtë monument si dhe në muret e qytetit antik, në rikonstruksionin e mbulesës, konsolidimin dhe restaurimin e pikturës murale dhe mozaikut.

Vendvarrimi i Skënderbeut përbën njërin prej monumenteve më të rëndësishëm në historinë e Shqipërisë. Përveç mureve të kishës, në këtë objekt gjendet edhe absida, ku ndodhet i vendosur busti i Skënderbeut, afresku i Shën Nikollit, dritaret dhe tre harqet mbi derën e kishës. Në mure janë të varura 25 mburoja prej bronzi, të cilat tregojnë 25 betejat kryesore të Skënderbeut. Mbi pllakën e mermerit janë vendosur kopje të shpatës dhe përkrenares prej bronzi të Skënderbeut./a.a/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.