Kosovë – Klinikat e QKUK-së pajisen me mjete të reja

PRISHTINË, 25 gusht/ATSH/ – Ministria e Shëndetësisë e Kosovës po punon vazhdimisht për pajisjen e klinikave të Qendrës Klinike Universitare me mjetet e nevojshme që kanë munguar deri tani.

Këtë e bëri të ditur, ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, i cili duke sjellë shembullin e një pacienti, operacioni i të cilit është kryer me sukses pasi Kirurgjia Torokale është pajisur me një thikë ultrasonografike bipolare, në vlerë prej 30 mijë eurosh, e cila ka munguar prej vitesh aty.

“Dje, kjo pajisje ka qenë vendimtare që 66-vjeçarit nga Prishtina, Bislim Iseni, t’i realizohet një operacion shumë i komplikuar në mushkëri, i cili zgjati 6 orë dhe u krye me sukses të plotë. Një operim i tillë deri më sot u ka kushtuar xhepit të qytetarëve dhe të shtetit, për trajtim jashtë vendit, deri në 30 mijë euro. Përveç kursimit të buxhetit familjar dhe shtetëror, me këtë pajisje, siguria e pacientit dhe stafit të mjekëve ka qenë në nivel të lartë, është shkurtuar koha e operimit dhe është përgjysmuar koha e rehabilitimit të Isenit, pasi ai nuk ka pasur fare humbje të gjakut dhe tani është në gjendje të mirë dhe i gatshëm për të shkuar në shtëpi”, nënvizoi Ismaili.

Ministri Ismaili tha se “javën që vjen do t’i dorëzojmë edhe disa pajisje në klinikat e tjera të QKUK-së, që të shtojmë sigurinë në shërbimet mjekësore, duke i bërë ato sa më cilësore”. /k.s/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.