Deklaratat e Veliajt për zjarrvënie ndaj investimeve të Bashkisë, reagon PD

TIRANË, 25 gusht /ATSH/ Partia Demokratike reagoi ndaj deklaratave të kryetarit të bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj pasi ky i fundit sulmoi opozitën se po bën lojë politike me zjarret në çerdhe.

Veliaj më herët,  u ndal edhe në rastet e fundit të vënies së zjarrit të qëllimshëm në dy çerdhe dhe kazanët e plehrave në kryeqytet, duke theksuar se pavarësisht qëllimit të autorëve, e rëndësishme është mbrojtja e punëve publike dhe mbështetja për zjarrfikësit.

Ndërkohë, përmes një deklarate nga selia e PD-së, deputetja Albana Vokshi tha se “është për të ardhur keq që Tirana drejtohet nga një kryebashkiak që nuk mban asnjë përgjegjësi”.

“Mashtrimet e Erion Veliajt, nuk zhbëjnë dot investimet e bëra gjatë katër vjeçarit kur bashkia e Tiranës drejtohej nga Lulzim Basha. Në fund të këtij mandati, të gjitha çerdhet ekzistuese të qytetit të Tiranës kanë qënë të rikonstruktuara. Ne fund te vitit te tretë të Erjon Veliajt, jo vetem që nuk ka ndërtuar asnjë objekt të ri për vogëlushët e bashkisë Tiranë, por po vë çdo ditë në në rrezik jetën e tyre. Erion Veliaj përdori fjalor të dhunshëm kundër opozitës që të mbulojë të vërtetën, se fëmijët e Tiranës nuk vlejnë asgjë para pushtetit të tij:”, tha Vokshi.

Më herët, Veliaj theksoi se “unë nuk besoj kurrë se opozita ka dorë, por sigurisht ndihem keq kur opozita bëhet me zjarrvënësit, jo me zjarrfikësit. Kjo është për të ardhur keq”, theksoi Veliaj. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.