Virusi i Nilit Perëndimor – ISHP fushatë për informimin e qytetarëve

132

TIRANË, 24 gusht/ATSH/ – Instituti i Shëndetit Publik vazhdon fushatën për informim edhe pse nuk ka raste të virusit të Ethes së Nilit Perëndimor në Shqipëri.

Në një njoftim për shtyp ISHP, bën të ditur se në bashkëpunim me Qendrën Europiane të Kontrolli të Sëmundjeve ka vazhduar me fushatën “Derë më Derë” për kontrollin e mushkonjave në qytetin e Tiranës.

Kjo fushatë do të zhvillohet gjatë periudhës gusht–shtator në 8 zona të qytetit që përfshijnë: zona sipër Qytetit Studenti, “Rruga e Elbasanit”, “Ali Demi”, “Xhamlliku”, gjimnazi “Sami Frashëri”, “Selvia”, Stacioni i Trenit, “Rruga e Kavajës”, “21 Dhjetori”, “Myslym Shyri”, “Kodra e Priftit”, Shkozë, Rruga “5 Maji”, Allias.

Konkretisht qëllimi i kësaj fushate është:

Informimi i qytetarëve lidhur me ciklin e zhvillimit të mushkonjave, vendet ku zhvillohen dhe masat që ata mund të ndërmarrin brenda territorit të banesave të tyre për të eleminuar vatrat potenciale të zhvillimit të larvave të mushkonjave.

Evidentimi i burimeve më produktive të mushkonjave në zonat urbane dhe eleminimi i vatrave të zhvillimit të tyre.

Marrja e veprimeve konkrete për eleminimin e vendeve të zhvillimit dhe trajtimi i vatrave.

Po ashtu për të informuar banorët lidhur me fushatën dhe për të nxitur pjesëmarrjen e tyre janë vendosur lajmërime në disa pika kyçe të këtyre lagjeve, ku ata marrin informacion dhe kanë mundësi të kontaktojnë me personelin e Institutit të Shëndetit Publik, për çdo problem lidhur me mushkonjat dhe për të bashkëpunuar me grupet e punës në terren.

Në vazhdim të masave të marra nga Instituti i Shëndetit Publik për parandalimin e përhapjes së virusit të Nilit në vendin tonë – sipas udhëzimit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale – është zbatimi dhe ndjekja me rigorozitet e procedurës së dezinsektimit.

Gjithashtu, ISHP, ka rritur kujdesin në gjithë vendin, duke mbajtur komunikim të vazhdueshëm me Qendrën Europiane të Kontrollit të Sëmundjeve (ECDC).

Instituti i Shëndetit Publik, rikonfirmon edhe njëherë se aktualisht në Shqipëri nuk ka asnjë rast të shfaqjes së virusit të Ethes së Nilit Perëndimor. /k.s/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.