VILNIUS – Netanyahu: Plani i BE-së për të ndihmuar financiarisht Iranin është ‘gabim i madh’

87

VILNIUS, 24 gusht /ATSH-DPA/ – Bashkimi Europian do të pendohet për planin e ndihmës ekonomike për Iranin, paralajmëroi të premten kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu.

“Unë mendoj se t’i japësh para këtij regjimi në këtë moment është një gabim i madh dhe kjo gjë nuk duhet të ndodhë”, u shpreh ai për fondin me vlerë 18 milionë euro (20,9 milionë dollarë) që BE-ja ka caktuar për  Iranin në kuadrin e përpjekjeve për të mbështetur marrëveshjen bërthamore pas rivendosjes së sanksioneve amerikane.

“Ku do të shkojnë këto fonde shtesë?”, pyet Netanjahu.

“Nuk do të shkojnë për të zgjidhur problemin e ujit në Iran, nuk do të shkojnë për shoferët e kamionëve në Iran”, vazhdoi ai.

“Do të shkojnë për raketa dhe rojet revolucionare në Iran, Siri dhe gjetkë në Lindjen e Mesme”, deklaroi kryeministri izraelit.

Netanjahu e bëri këtë deklaratë gjatë një vizite zyrtare në Lituani. /s.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.