Pojani në “100 fshatrat”, zhvillim turizmit të qëndrueshëm

TIRANË, 24 gusht/ATSH-Maela Marini/ Edhe pse shpesh identifikohet me Parkun Arkeologjik të Apolonisë, fshati Pojan në Fier ka përfituar pak ose aspak nga ky potencial i rëndësishëm turistik.

Ndaj, nxitja e turizmit të qëndrueshëm rural është një ndër synimet e përfshirjes së këtij fshati në programin “100 fshatrat”. Krahas Pojanit, janë edhe dy fshatra të tjerë (Libofsha dhe Cakrani), të përzgjedhur në kuadër të këtij programi për bashkinë e Fierit.

Lidhja organike që ka Pojani me Parkun Kombëtar Arkeologjik të Apolonisë, i cili mban mbi vete 2606 vite histori qytetërimi dhe kulture, është një bazë e fuqishme për nxitjen e turizmit në gjithë zonën.

I shtrirë pranë sitit të rëndësishëm arkeologjik të Apolonisë, Pojani përmbledh një potencial të rëndësishëm për zhvillimin e turizmit historik, por jo vetëm. Programi “100 fshatrat” parashikon po ashtu nxitjen e agroturizmit në këtë zonë, përmes mbështetjes direkte për sipërmarrjen fermere.

Zbatimi i këtij modeli të ri për zhvillimin rural përmes programit “100 fshatrat” parashikon investime të rëndësishme në infrastrukturë.

Aktualisht, Bashkia e Fierit ka bërë një përmirësim të infrastrukturës rrugore që të çon drejt fshatit Pojan, por investimi pritet të jetë më i plotë dhe pjesë e një projketi kompleks dhe të ndërthurur me të gjithë elementët urbanë.

Më herët, kryetari i bashkisë së Fierit, Armando Subashi është shprehur për ATSH-në se, “po punohet për hartimin e projekteve të plota që kanë në vetvete shumë plane të detajuara infrastrukturore”.

“Këto projekte nisin nga kanalizimet, ujësjellësi, infrastruktura rrugore, elementët urbanë, planifikimi i hapësirave publike, çlodhëse, gjelbërimin, vend pozicionimet më të favorshme agrokulturore, kultivuese etj, pa harruar dhe trajnimin e banorëve të këtyre zonave nëpërmjet formimit profesional që do t’u duhet për rritjen e cilësisë së shërbimit ndaj turistëve”, tha ai.

Është një projekt madhor, që sipas Subashit, përbëhet nga shumë miniprojekte të tjerë.

“Kemi përcaktuar prioritetet për ndërhyrje për çdo zonë, mbi bazën e të cilave po përgatisim projektet e plota, të cilat do t’i prezantojmë për financim”, tha ai.

Programi parashikon po ashtu nxitje të punësimit përmes mbështetjes direkte për sipërmarrjen fermere.

Ai synon të adresojë sfidat me të cilat përballet sot fshati dhe hapësira rurale për t’i shndërruar ato në qendra të zhvilluara ekonomike nëpërmjet agroturizmit të qëndrueshëm
rural.

Pojani ka rreth 2000 banorë dhe shtrihet në një sipërfaqe prej 11 km2, nga të cilat 458 ha sipërfaqe toke në fushë dhe 56 ha në kodër.

Banorët merren me bujqësi, blegtori dhe kohët e fundit me vreshtari dhe bletë. Shquhet për tradita të kultivuara myzeqare: të mikpritjes, bujarisë, të kulturës, folklorit, të gatimeve plot shije.

Banorët i përkasin besimit ortodoks, çka duket edhe në kishat shumëvjeçare pranë tij, si ajo e Shën Mërisë në Apoloni. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.