Fillon Bundesliga: A ka “Bajerni” konkurrencë serioze për trofeun e Gjermanisë?

158

TIRANË, 24 gusht /ATSH/ – Me ndeshjen mes “Bajern Munihut” dhe “Hofenhajmit” në orën 20:30 të mbrëmjes së sotme fillon sezoni i ri në Bundesligë.

Pas disfatës së përfaqësueses gjermane në Botërorin 2018, në Gjermani me padurim e presin fillimin e kampionatit, i cili edhe këtë vit do të dominohet nga gjiganti bavarez. Askush nga konkurrentët nuk duket mjaft i fuqishëm për të ruajtur ritmin e “Bajernit”, por do të jetë interesante të shihet se si do të përballet trajneri i ri i ekipit, Niko Kovaç.

Kovaç impresionoi me punën e tij në “Eintracht Frankfurt” dhe madje fitoi Kupën e Gjermanisë, duke mposhtur në finale “Bajernin”. Tashmë nga ana tjetër e barrikadës, ish-futbollisti kroat ngriti trofeun e parë në krye të bavarezëve, pas fitores 5:0 në Superkupën e Gjermanisë.

“Bajerni” nuk demonstroi fuqinë e vet financiare në merkato dhe u mjaftua me afrimin e Leon Goretcka, i cili erdhi falas nga “Shalke 04”, dhe i riu Alfonso Dejvis nga “Vankuveri”. Serzh Gnabri dhe Renato Sançez u kthyen në ekip nga huazimi.

Bavarezët shitën Arturo Vidal tek “Barcelona”, dhe pritet të largohet edhe Sebastian Ruli, ndërsa situata me Zherom Boateng vazhdon të jetë e paqartë. Lajm i mirë për Kovaç është se Robert Levandovski u mbajt dhe polaku sërish do të jetë makinë golash.

/gj.m/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.