Zjarri i rënë në çerdhen nr. 14, del ekspertiza

TIRANË, 23 gusht/ATSH/ – Zjarri në çerdhen nr. 14 ka qenë i qëllimshëm dhe i shkaktuar nga faktorë të jashtëm. Në këtë përfundim ka dalë akt-ekspertiza lidhur me zjarrin e rënë në datën 16 gusht 2018, në orën 04:57, në çerdhen nr. 14, në lagjen “Ali Demi”, Tiranë, në analizë të provave dhe fakteve të mbledhura nga ekspertët e Drejtorisë së MZSH-së.

Nga kqyrja e vendit të ngjarjes, shkaku i rënies së zjarrit ka ardhur si pasojë e shkëputjes së rregullatorit nga bombula e gazit dhe si pasojë e rrjedhjes së gazit nga bombula, ka ngopur ambientin e brendshëm me gaz, i cili në kontakt me pjesën e djegur të kutive të kartonit ka shkaktuar shpërthimin e ambientit.

Ekspertët e Drejtorisë së Mbrojtjes nga Zjarri vërejnë se zjarri ka rënë midis bombolës së gazit dhe kutive të kartonit. Gjithashtu, akt-ekspertiza përfundon se zjarri është shkaktuar nga faktorë të jashtëm.

Nga këqyrja e vendit të ngjarjes, ekspertët e MZSH-së kanë konstatuar se, në ambientin ku ishin vendosur bombolat e gazit, në anën verilindore të çerdhes nr. 14 dhe me mur ndarës me kuzhinën e gatimit, xhami i krahut të djathtë të dritares ishte thyer. Poshtë dritares ishte vendosur një shkallë prej druri, e përbërë nga dy paleta, e cila në fushën e ndërtimit përdoret si skelë.

Ndërkaq, në brendësi të ambientit, poshtë dritares dhe mbi banakun prej betoni ekspertët kanë gjetur disa kuti kartoni pjesërisht të djegura. Gjithashtu, akt-ekspertiza konstaton se është gjetur edhe një bombul gazi e dëmtuar në pjesën e sipërme nga zjarri, kurse rregullatori i gazit ishte i shkëputur bashkë me tubin e gazit nga bombula.

Akt-ekspertimi i është vendosur në dispozicion organit të Prokurorisë se Rrethit Gjyqësor, Tiranë, për vijimin e hetimeve dhe zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.