Vendoset rrjet i ri elektrik në Livoq të Epërm të Gjilanit

113

PRISHTINE, 23 gusht /ATSH/ -Kompania kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike, KEDS, ka përfunduar një investim të gjerë në fshatin Livoq të Epërm të Komunës së Gjilanit

Investimi në këtë fshat që ndodhet në hyrje të kësaj komune, përfshin vendosjen e 78 shtyllave të betonit për tension të ulët dhe 23 shtyllave të tensionit të mesëm.

Vendosja e shtyllave të betonit bëhet për t’i zëvendësuar shtyllat e drurit, të cilat në shumë raste janë të vjetruara dhe dëmtuara, dhe si të tilla paraqesin rrezik për kalimtarët e rastit.

Po ashtu, KEDS ka vendosur një trafo e re me fuqi 400 kVa, si dhe është bërë ndërtimi i rrjetit të tensionit të ulët me gjatësi afër pesë kilometra, dhe rrjeti për tension të mesëm, në gjatësi prej mbi një kilometër.

Viktor Buzhala, zëdhënës i KEDS, thotë se kompania po vazhdon ndërrimin e rrjetit elektrik në të gjitha rajonet e vendit.

“Ky investim do ta përmirësojë shumë situatën me energji elektrike për këtë pjesë. Pra, do të ketë stabilitet energjetik, do të reduktohen humbjet në rrjet, dhe kuptohet që zëvendësimi i shtyllave të drurit me ato të betonit ofron siguri për qytetarët, meqë shtyllat e kaluara kanë qenë të vjetruara,” th ai.

Javë më parë, KEDS ka përfunduar një investim të ngjashëm në fshatin Uglarë të Gjilanit, ku kishin përfituar rreth 1200 shtëpi të kësaj zone. Përveç fshatit Uglarë, ky projekt kishte përmirësuar furnizimin me energji elektrike edhe në fshatrat përreth, sepse nga largpërçuesi i Uglarës furnizohet një pjesë e rajonit të Anamoravës.

Por, sipas Buzhalës, investimet në këtë komunë do të vazhdojnë edhe në të ardhmen.

“Në të gjithë vendin KEDS çdo ditë është e angazhuar të përmirësojë rrjetin energjetik. Në Gjilan tashmë kemi përfunduar një numër projektesh, dhe do të vazhdojmë edhe në të ardhmen,” tha Buzhala. /KosovaPress//e.malaj/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.