USAID përmes shkollave verore përgatit të rinjtë për punësim

PRISHTINE, 23 gusht /ATSH/ -Sot në gjimnazin “Xhevdet Doda” në kryeqytetin e Kosovës, u hap shkolla verore dy ditore me përkrahje të USAID-it.

Drejtoresha e misionit të USAID-it në Kosovë, Lisa Mango, tha se kjo shkollë verore është e para e një serie shkollash të tilla që kanë organizuar për vitin 2018. Ajo tha se qëllimi i këtyre shkollave është që t’i përgatisin të rinjtë për punë në shekullin XXI.

Aty i pranishëm ishte edhe Ministri i Arsimit, Shyqyri Bytyqi, i cili tha se shkollat verore kanë rëndësi të veçantë, edhe për faktin se janë organizime vullnetare. Ai premtoi që MASHT-do t’u qëndrojë gjithmonë pranë shkollave, për të përkrahur iniciativa të tilla.

Ndërsa, drejtoresha e programit për “Përkrahje Adoleshentëve pas Mësimit të Rregullit”, Valmira Haxhaj Gushlla tregoi për aktivitetet, dhe tregoi se ky program zbatohet nga KEC-i.

Kjo shkollë verore do të zgjasë dy ditë dhe është e ndarë në katër sesione: Elektronika, Ndërmarrësia, Edukimi medial dhe Teknologjia Muzikore. /KosovaPress//e.malaj/j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.